Durrës, me armë e drogë në makinë drejt Tiranës, tenton t’i largohet policisë, prangoset 35-vjeçari
Kontrolle intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri dhe me lëndë me narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Action” ku është kapur një person që ishte nisur me armë zjarri dhe lëndë narkotike, në automjet, drejt Tiranës..
35-vjeçari nga Kamza tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë dhe më pas u largua me shpejtësi duke rrezikuar jetët e tyre.
Atij i janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike heroinë dhe një shumë e konsiderueshme parash, që u gjetën në automjet.
“Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri dhe lëndë narkotike, shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Rendit, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Action”. Në kuadër të këtij operacioni u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi S. C., 35 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë. Bazuar në informacionet e siguruara për një shtetas që udhëtonte me armë zjarri dhe lëndë narkotike, në automjet, shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndaluar në autostradën Durrës – Tiranë, automjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin S. C. Drejtuesi i automjetit, për t’iu shmangur kontrollit, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë dhe më pas është larguar me shpejtësi në momentin që punonjësit e Policisë do ta shoqëronin në Komisariatin e Policisë. Pas ndjekjes nga shërbimet e tjera të Policisë, ky shtetas është kapur në Shijak, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.” – njofton policia.
Materialet në ngarkim të këtij shtetasi iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese e municionit", "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
