Himarë, kultivonin kanabis, arrestohen babë e bir

Finalizohet operacioni policor i koduar "Vilza" nga policia e Himarës, ku janë gjetur dhe asgjësuar bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë babë e bir, si autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit. Si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar "Vilza", gjatë të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. Sh., 63 vjeç, banues në Vranisht, Himarë. Xh. Sh., 25 vjeç, banues në Vranisht, Himarë. Gjatë kontrollit, në fshatin Vranisht, Himarë, në vendin e quajtur “Vilza”, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike canabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Nga veprimet hetimore dyshohet se autorët e kësaj veprimtarie kriminale janë shtetasit A. Sh dhe Xh. Sh.” – njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.