Në Universitet me konkurs, pilotimi nis me programin e Mjekësisë së Përgjithshme vitin e ardhshëm
Hyrja në universitete do të bëhet përmes konkurseve. Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi të enjten se pilotimi do të nisë vitin e ardhshëm me Mjekësinë e Përgjithshme.
Maturantët që do të synojnë këtë program do t'i nënshtrohen testit elektronik.
Qëllimi, tha Ministrja, është nxitja e meritokracisë.
"Siç bëhen provimet e licencave.Të gjithë maturantët pasi kanë mbaruar provimet e maturës, ata që kanë ambicie për programin mjekësi e përgjithshme dhe kanë një mesatare mbi një nivel të caktuar ti nënshtrohen këtij testi. Testimi është elektronik, gjenerohet në moment, përgjigjja në kohë reale."
Ministrja Kushi po ashtu propozoi shfuqizimin e nenit që ndalon rivlerësimin e testit në rregulloren e Maturës Shtetërore.
"Të gjithë jemi të vetëdijshëm që rivlerësimi i testit do kërkonte shumë kohë, shumë njerëz të angazhuar, mund të vonojë procesin por është një e drejtë themelore që çdo maturant duhet ta ketë. Ne nuk jemi të pagabueshëm."
Vlerësimi i jashtëm i gjimnazeve për të bërë të mundur një renditje në bazë të cilësisë është një tjetër propozim i Ministres gjatë një takimi me mësues dhe ekspertë të arsimit.
