Berisha: Aleksandër Vuçiç e ka vendin në Hagë, ju nuk pranoni ta dënoni. Të ndalohet çdo turist rus në Shqipëri

Kreu i PD, Sali Berisha, nga Foltorja e Kuvendit, ditën e sotme, ka dënuar me tone të ashpra gjenocidin në Srebrenicë.

Berisha vlerësoi rezolutën e propozuar nga mazhoranca në të cilën dënohet gjenocidi i Srebrenicës, por nga ana tjetër i ka akuzuar se po “mbrojnë” Vuçiçin dhe Millosheviçin.

Më tej ai tha se  se Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç duhet të gjykohet në Hagë për krime lufte.

Sali Berisha: Gjenocidi si forma më e urryer, më e rëndë e krimeve kundër njeriut dhe njerëzimit nuk mund të mos më sillte këtu për ta dënuar me forcën më të madhe barbarinë serbe ndaj popullit boshnjak dhe barbaritë serbe në rajon. Pasi refuzuat një rezolutë të paraqitur nga opozita një muaj më parë, ju sollët një rezolutë të cilën unë e vlerësoj për sak kohë dënon gjenocidin. Por rezoluta juaj është një rezolutë e njerëzve me qëndrim të dyfishtë. Nga një anë dënoni gjenocidin, por nga ana tjetër fshihni me qëllim ideologun, arkitektin e gjenocidit në Bosnje Sllobodan Millosheviçin dhe si vëllun e Ramës, Vuçiç. Por si mund ta bëni ju këtë? Në gjithë mediet e botës ekziston deklarata në Parlament por dhe në Bosnje Vuçiçi cili zotohet se për çdo serb të vrarë do vriten 100 myslimanë. Vuçiç ka vetëm një vend dhe ai është Haga. Ju jo vetëm nuk guxoni të kërkoni gjykimin e tij në Hagë, por bëni gjithçka për ta kufizuar. Pse bëni strucin? Çfarë ju shtyn mos jeni të hapur dhe ta dënoni me gjithë shpirt e zemër masakrën më të madhe që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore? Ju nuk pranoni ta dënoni. Ju nuk pranoni të dënoni Vuçiçin, i cili është i filmuar duke deklaruar se për çdo serb të vrarë do vriten 100 myslimanë, njëlloj si  në rregullin e gestapos.

Berisha tha se edhe ndaj gjenocidit rus në Ukrainë, PS po mban një qëndrim të dyfishtë pasi po pranon turistë rusë në Shqipëri.

Sali Berisha: Nga një anë nuk pranoni të ndëshkonin Vuçiçin, nga ana tjetër flisni për Ukrainë por pranoni në Shqipëri xhelatët rusë, që vijnë me linjën ajrore të Rusisë? Keni ju një marrëveshje të fshehtë turizmi për të pranuar turistët rusë? A mund të pranohen ata që i kanë duart me gjak, që vijnë nga Mariupoli, Bucha? Prandaj dhe rezoluta për dënimin e gjenocidit është domosdoshmëri, por ju e keni me zemër të thyer. Amendamentet tona plotësojnë…lere se ti nuk je kryetare parlamenti.