Dronët kërkojnë të mbijetuarit e tragjedisë në malin Marmolada
Kanë kaluar rreth 48 orë nga tragjedia e shëmbjes së masivit të akullit në vargmalin Marmolada në rajonin e Trentino Alto Adige, e skuadrat e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 13 alpinistëve të humbur.
Shpresat për të mbijetuar po bëhën orë pas ore më të pakta, pasi terreni i thepisur e masive akulli e vështirësojnë punën e operacioneve të shpëtimit.
Përveç skuadrave ajrore të pajisur me 11 helikopterëve, mëngjesin e sotëm, Departamenti i Ndihmës alpine dhe i Mbrojtes civile së bashku me forcat e rendit, kanë aktivizuar punën e katër dronëve të sofistikuar të cilët do të kërkojnë në pjesën më të lartë të malit dhe në grykat e ulëta ku është mjaft e vështirë të vëzhgohet.
Janë konfirmuar deri tani 13 persona të zhdukur, të cilët janë denoncuar nga familjarët e tyre. Dhjetë prej tyre janë italianë e tre janë shtetas çekë.
Nga 7 viktima, vetëm 3 prej tyre janë identifikuar. Impakti i aksidentit mbi trupat e tyre ka qenë dramatik duke e bërë të pamundur identifikimin e për këtë do të kryhen ekspertiza specifike mjeko- ligjore me ndihmën e familjarëve të personave në kërkim.
Autoritetet e Trentino Alto Adige për RTV Ora e Ora News, kanë informuar se po kontrollohen dokumentet e 16 automjeteve që janë gjetur buzë malit Marmolada, në pjesën hyrëse ku mendohet se ka nisur ngjitja e grupeve të alpinistëve.
Katër prej makinave janë në verifikim të pronësisë së tyre e me shumë gjasa i përkasin personave që mungojnë në apel. Të katër automjetet kanë targa të huaja, gjermane, hungareze e çeke.
Familjarët e viktimave dhe të personave në kërkim kanë mbërritur në komunën Canazei e po ndjekin nga afër operacionet e kërkimit.
Preokupimi i tyre si dhe i autoriteteve është se terreni i vështirë do të bëj të pamundur rekuperimin e trupave të të gjithë personave që mungojnë në apel.
Rreth orës 17 të pasdites së sotme pritet një konferencë shtypi në të cilën priten të ketë një përditësim mbi punën e skuadrave të shpëtimit.
Në strukturat spitalore po kurohen nëntë persona, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.
