Agjencia e ushqimit e OKB-së merr 17 milionë dollarë nga Japonia për të trajtuar problemet e ruajtjes së grurit në Ukrainë

Agjencia e ushqimit e OKB-së tha se kishte marrë 17 milionë dollarë nga Japonia për të trajtuar problemet e ruajtjes së grurit në Ukrainë dhe për të rritur eksportet e saj.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) tha se fondet do të ndihmojnë Ukrainën të ruajë prodhimet nga korrja e korrik-gushtit në kontejnerë modularë magazinimi.

Fermerët e Ukrainës “po ushqejnë veten dhe miliona të tjerë në mbarë botën”, tha kreu i zyrës së urgjencave dhe qëndrueshmërisë së FAO-s, Rein Paulsen. Ai shtoi:

Sigurimi që ata mund të vazhdojnë prodhimin, të ruajnë në mënyrë të sigurtë dhe të kenë akses në tregje alternative është jetike për të forcuar sigurinë ushqimore brenda Ukrainës dhe për të siguruar që vendet e tjera të varura nga importi të kenë furnizim të mjaftueshëm me grurë me një kosto të menaxhueshme.

Ukraina, eksportuesi i katërt më i madh në botë i drithërave, po përpiqet të eksportojë të korrat e saj nëpërmjet rrugëve, lumenjve dhe hekurudhave që kur portet e saj të Detit të Zi ndaluan së funksionuari pasi trupat ruse pushtuan vendin.