Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO, nën hijen e Erdogan
Ankaraja mund të bllokojë sërish procesin e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë nëse dy shtetet nuk përmbushin kërkesat e Erdogan. Por deri atëherë, ambasadorët e NATO-s kanë firmosur të martën formalisht anëtarësimin e dy kryeqyteteve.
NATO nisi sot zyrtarisht procesin e ratifikimit që Suedia dhe Finlanda t'i bashkohen aleancës ushtarake, duke shënuar një hap historik të sjellë nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Masa do të rrisë më tej izolimin strategjik të Rusisë pas pushtimit të saj të Ukrainës fqinje në shkurt dhe luftimeve atje.
30 aleatët e NATO-s filluan ceremoninë për të nënshkruar protokollet e pranimit për Finlandën dhe Suedinë të martën, duke dërguar ofertat e anëtarësimit të të dy vendeve në kryeqytetet e aleancës për miratime legjislative.
Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh se popujt e 32 vendeve anëtare do të jenë më të sigurt me anëtarësimin e Helsinkit dhe Stokholmin.
"Ky është me të vërtetë një moment historik për Finlandën, për Suedinë dhe për NATO-n. Me 32 kombe rreth tryezës, ne do të jemi edhe më të fortë dhe njerëzit tanë do të jenë edhe më të sigurt, ndërsa përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në dekada. Kjo është një ditë e mirë për Finlandën dhe Suedinë dhe një ditë e mirë për NATO-n," tha ai.
30 ambasadorët dhe përfaqësuesit e përhershëm të NATO-s miratuan zyrtarisht vendimin e javës së kaluar që u mor në samitin e Madridit, ku liderët e 30 vendeve ranë dakord që të ftonin Finlandën dhe Suedinë për t’iu bashkuar klubit ushtarak.
Pavarësisht marrëveshjes në aleancë, miratimi parlamentar në Turqi mund të përbëjë ende një problem për përfshirjen e tyre si anëtarë definitivë.
Javën e kaluar, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi se Ankaraja mund të bllokojë përsëri procesin nëse të dy vendet nuk përmbushin plotësisht kërkesën e Turqisë për të ekstraduar të dyshuarit për terrorizëm në lidhje me grupet e jashtëligjshme kurde.
