Italia në prag të një krize qeveritare. Prishja e koalicionit qeverisës rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje
Italia është ngërthyer nga një krizë e brendshme politike. Partneri i koalicionit qeverisës rrezikon të largohet duke e çuar vendin në zgjedhje. Ish-kryeministri Conte ka hedhur akuza se Draghi po ndërhyn që ta heq nga kryetar partie. Ndërkohë, edhe të djathtët e Salvinit janë bërë bashkë kundër legalizimit të kanabisit dhe për emigracionin.
Orë të vështira për qeverinë e Mario Draghit i cili gjatë natës me një komunikim të shkurtër nga zyra e tij e shtypit, informon se kthehet nga Madridi në Romë, ku mori pjesë në samitin e Natos, shumë orë para se sa e kishte paracaktuar axhenda e tij institucionale.
Motivi: Mbledhja e ekzekutivit të tij.
E në të njëjtën kohë, ish kryeministri e aktualisht lideri i 5 Yjeve Giuseppe Conte, takon kokë më kokë numrin 1 të shtetit italian, Presidentin Sergio Mattarella.
Motivi: Garanton mbështetjen e ekzekutivit Draghi me gjithë ndasitë e vendimeve politike të javëve të fundit e të lidhura mbi të gjitha me qasjen italiane ndaj luftës në Ukrainë, por mbi të gjitha kërkon garancinë që një kryeministër teknik siç është Mario Draghi i zgjedhur pa votën e popullit italian, të mos ndërhyjë në çështjet politike të forcave të koalicionit qeverisës.
Gjatë ditës së djeshme, mediat italiane publikuan lajmin se ish lideri i Lëvizjes 5 Yje me kërkesë të kryeministrit Mario Draghi, do të largojë Giuseppe Conten nga pozicioni i tij si lider i kësaj force politike.
Ky lajm vjen pas momenti të vështirë që kaloj kjo Lëvizje me largimin e ministrit të jashtëm Luigi di Maio e rreth 60 deputetë e senatorë nga rradhët e saj.
Ky largim solli padyshim ndryshimin e raportit të forcave të koalicionit qeverisës në qeverinë Draghi, duke e bërë Lëvizjen 5 Yje jo më partia kryesore e këtij ekzekutivi e jo më partia me numrin më të madh të deputetëve e senatorëve në Parlamentin italian.
E padyshim ky ndryshim do të kërkoj një ribalancim të koalicionit qeverisës, e nevojshme dhe pas zgjedhjeve vendore të dy javëve të fundit që shfaqën një humbje të thellë të kandidatëve të Lëvizjes 5 Yje e një reduktim drastik të koeficientit votues të qytetarëve italianë ndaj kësaj force.
Por një tjetër front krize është i hapur e gati të shpërthej brenda ekzekutivit të Mario Draghit. Partitë e djathta, janë kundër aprovimit të një ligji pro dhënies së nënshtetësisë italiane për fëmijët e emigrantëve që kanë kryer një cikël 5 vjeçar shkollor në sistemin italian si dhe kundër liberalizimi të cannabis.
Partitë e djathta kërkojnë heqjen nga axhenda parlamentare diskutimin e këtyre dy draft ligjeve e apelojnë vëmendjen e qeverisë ndaj rritjes së çmimeve e problematikave urgjente që ka vendi.
Dita e sotme pritet të jetë "e nxehtë" për mbledhjen e qeverisë Draghi e sipas zërave të koridoreve të politikës do të ketë dhe një takim sy më sy me liderin e 5 Yjeve, ish kryeministrin Giuseppe Conte.
