Rusia ‘zhbllokon’ bukën/ Pas disa muajsh, anija e parë me 7 000 tonë grurë largohet nga Ukraina
Rusia ka dhënë sinjale se do të çlirojë bllokadën e grurit në portet ukrainase të pushtuara nga forcat e Moskës në Detin Azov. Të enjten është larguar anija e parë me 7 mijë tonë grurë, e cila sipas zyrtarëve pro-rusë do të shkojë në vendet mike.
Një anije me 7 mijë tonë grurë është larguar nga porti i Berdjanskut në Detin Azov në Ukrainë, e cili aktualisht kontrollohet nga forcat ruse.
Një zyrtar pro-rus i administratës ushtarako-civile të rajonit të pushtuar të Zaporizhjas e konfirmoi të enjten.
Ai ka shkruar në rrjetet sociale se pas muajsh të tërë bllokade, anija e parë ka lënë portin komercial të Berdjanskut, me rreth 7000 tonë grurë, të cilat do t’i dërgohen vendeve fqinje të Rusisë.
Zyrtarët ukrainas, prej kohësh kanë akuzuar Rusinë për vjedhjen e qindra mijëra tonëve grurë në territorin ukrainas, të cilat aktualisht gjenden nën pushtimin rus, si Zaportizhja apo Kherson.
Kievi e akuzon Moskën se e ka vjedhur sasinë e grurit, për ta shitur më pas, ndërsa Rusia i ka rrëzuar këto pretendime.
Gjatë të ashtuquajturit operacion special në Ukrainë, ushtria ruse ka marrë nën kontroll rajonet e Kersonit dhe Zaporizhjas në Detin Azov në jug të Ukrainës.
Në këto rajone janë ngritur administratat civilo-ushtarake të cilat kanë nisur punën për rusizimin e ukrainasve.
Përveç dëshirave për të zëvendësuar kurrikulat mësimore të Kievit me ato të Rusisë, dhjetëra kanale televizive apo edhe stacione radiofonike ruse kanë nisur transmetimin në këto rajone.
