Putin ‘bekon’ anëtarësimin në NATO: Nuk kemi asgjë me Finlandën dhe Suedinë, me Kievin po

Presidenti rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë pretendimet e NATO-s madje edhe ato të vetë zyrtarëve rusë lidhur me anëtarësimin në Aleancë të Finlandës e Suedisë.

Gjatë vizitës së tij të parë në një shtet të huaj që prej shkurtit, lideri rus u shpreh se nuk shihte asnjë problem lidhur me anëtarësimin e Helsinkit dhe Stokolmit në NATO.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Problemi i vetëm i Moskës është mos-anëtarësimi i Ukrainës në Aleancën ushtarake.

"Ne nuk kemi asgjë që do të na shqetësonte në lidhje me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Nëse duan, le ta bëjnë. Por nëse ndihemi të kërcënuar ushtarakisht nga këto dy vende, ne do të detyrohemi t’i përgjigjemi kokë më kokë. Moska nuk i sheh kërcënimet e mundshme nga Stokholmi dhe Helsinki si të rrezikshme krahasuar me ato që vijnë nga Kievi në vitet e fundit. Për ne, Finlanda dhe Suedia në NATO janë krejtësisht të ndryshme nga Ukraina në NATO," tha ai.

Nga Turkmenistani, ndërsa iu përgjigj interesit të gazetarëve, lideri rus u shpreh se objektivat e të ashtuquajturit operacion special nuk kanë ndryshuar.

"Qëllimi final i operacionit është çlirimi i Donbasit, mbrojtja e njerëzve atje dhe garantimi i sigurisë sonë. Nuk më pëlqen të vendos afate, kurrë nuk e bëj. Vendosja e afateve është e gabuar, sepse ajo lidhet me intensitetin e luftimeve dhe intensiteti lidhet direkt me viktimat e mundshme. Dhe ne duhet të mendojmë para së gjithash për ruajtjen e jetëve të djemve tanë. Taktikat për të arritur qëllimet mund të ndryshojnë, por jo objektivat," tha Putin.

Kreu i Kremlinit vizitoi Ashgabatin, gjatë vizitës së tij të parë jashtë Rusisë, që prej shkurtit, kur ai urdhëroi sulmin e Ukrainës.