Laska: Harta e re gjyqësore nuk cenon punën e avokatëve por ndikon te qytetarët

Avokati Elton Laska, ka folur në lidhje me hartën e re gjyqësore, çështje e cila ka bërë që avokatët prej dy javësh të bojkotojnë punën si një shenjë proteste, kundër kësaj reforme.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, Laska tha se harta e re gjyqësore nuk cenon punën e avokatëve por cenon vetëm qytetarët.

Elton Laska: Kjo hartë e re gjyqësore ne na ka ngritur në protestë dhe gjithashtu kemi shpallur bojkot që prej datës 14 qershor.

Për asnjë nga avokatët kjo hartë gjyqësore nuk e cenon punën e tyre, por vetëm qytetarët.

Ai tha se nëse ndryshon harta gjyqësore qytetarët do të kenë kosto më të lartë.

Elton Laska: Të gjithë avokatët janë profesionistë, është një profesion i lirë, e ushtrojnë në të gjithë republikën e Shqipërisë, kanë të drejtë të jenë prezent dhe në fund të ditës ato presin një faturë dhe kjo faturë ndikon te qytetarët.  

Më tej ai tha se në vendin tonë mungon edhe infrastruktura për shkrirjen e gjykatave.

Elton Laska: Të shkrish të gjitha gjykatat e Apelit dhe të bashkohemi në Tiranë do të thotë të mblidhen të gjitha çështjet dhe t’i bashkosh në një Gjykatë të vetme. Kjo përveçse nga ana e infrastrukturës do të donte një godinë dhe një hapësirë e cila mund të jetë e pagjendshme në Shqipëri, ka dhe problematika të tjera, siç mund të jenë ato të masave të sigurimit apo të gjykimit të personave të cilët vuajnë dënimet në burgje të ndryshme.