Amnistia fiskale, Kaso: Operacion kriminal i pastrimit të parave, në hall pasuria e krimit

Eksperti i çështjeve ligjore në PD, Ivi Kaso shkruan se lidhur me amnistinë fiskale nuk ka pasur emigrantët që donin të dërgonin 30 000 £ në Shqipëri, por ka pasur "hallexhinjtë" e tjerë.

Ai shkruan se halli qenka që vëllai, motra, shoku, miku, shoferi, dashnorja e kujtdo që është pasuruar nëpërmjet krimit dhe korrupsionit, e paskan hallin e madh se si do legalizojnë nga 2 mln € pasuri për kokë.

Ai shton se ky është një operacion kriminal me pastrim parash të pista, në projektim e zbatim, që në asnjë vend të botës së tretë e jo më në një vend që aspiron të hapë negociatat për anëtarësim nuk ndodh.

Kaso: Ja pra që nuk e paska patur për emigrantët që donin të dërgonin 30 000 £ në Shqipëri e gjoja s'mund ta bënin lehtësisht, por e paska patur për ata "hallexhinjtë" e tjerë... vëllain, motrën, shokun, mikun, shoferin, dashnoren e kujtdo që është pasuruar nëpërmjet krimit dhe korrupsionit, e paskan hallin e madh se si do legalizojnë nga 2 mln € pasuri për kokë.

Hall i madh s'ke ç'thua, por veç për këto lloj hallesh mendon kjo maxhorancë mbasi s'la hall tjetër pa ju lëshuar në shpinë shqiptarëve! Operacion më kriminal pastrimi parash të pista nuk besoj se mund të ketë, në projektim e zbatim, as në ndonjë vend të botës së tretë e jo më në një vend që aspiron të hapë negociatat për anëtarësim. Shuplakë fytyrës MONEYVAL-it që na ka shpallur tashmë "delja e zezë" e Evropës dhe çdo naivi që ka ndonjë iluzion mbi drejtimin që ka marrë ky vend.