Tërmeti i fuqishëm në Afganistan, shkon në 1000 numri i viktimave, 1500 të plagosur

 

Ka shkuar në mbi 1000 numri i jetëve të humbura si pasojë e tërmetit të mëngjesit të së mërkurës në juglindje të Afganistanit.

Siç bën me dije Instituti Sizmologjik Mesdhetar Evropian magnituda e tërmetit ishte 6,1 ballë, ndërsa thellësia rreth 51 kilometër.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sipas të njëjtit institucion, lëkundjet u shtrinë në një zonë prej rreth 500 kilometrash dhe u ndien edhe në Pakistan dhe Indi.

Të paktën 119 milionë persona kanë qenë në gjendje që të ndiejnë lëkundjet sizmike që shkaktuan një tragjedi në vendin e varfër të qeverisur nga talibanët.

Dëmet më të mëdha u shkaktuan në qytetin e Khostit dhe Paktikas.

Mbi 1500 persona raportohen të plagosur, shumica e tyre me plagë serioze për jetën.

Autoritetet lokale kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të rritet nëse ndihma nuk arrin nga Kabuli.

Pas thirrjes për ndihmë, zyrtarë të qeverisë talibane kanë mbërritur pranë zonave të prekura, ku dëmet përllogariten të jenë katastrofale, duke u nisur nga cilësia e ndërtimit të banesave të afganëve.