Ukraina ‘lë pas’ Ballkanin/ Zelenski, negociata me liderët e BE për statusin kandidat. Firmos ratifikimin e Konventës së Stambollit
Një ditë përpara takimit të liderëve të Bashkimit Evropian të cilët do të vendosin për fatin e dhënies së statusit kandidat për Ukrainën, presidenti Zelenski nuk ka humbur kohë që të mobilizojë mbështetjen me vendet e bllokut.
Gjatë fjalimit të mesnatës, lideri ukrainas tha se kishte biseduar me shumë liderë të BE-së të cilët mund të ndikojnë në vendimin e së premtes.
"Pata një ditë pune shumë aktive në politikën e jashtme, pothuajse një maratonë telefonatash. Ne po zgjerojmë rrethin e atyre që po mbështesin statusin kandidat të Ukrainës dhe po shtojmë sigurinë tonë se të premten do kemi një vendim pozitiv," tha Zelenski.
Presidenti u zotua të përshtatë të gjitha politikat në fushën e të drejtave të njeriut me ato të Bashkimit Evropian, në mënyrë që integrimi i Kievit të jetë edhe më i lehtë.
"Do të bëj gjithçka që vendimi historik i Bashkimit Evropian të miratohet. Është e rëndësishme për ne. Meqë ra fjala, pa vonesë, firmosa ligjin për ratifikimin e Konventës së Stambollit e cila u miratua nga Parlamenti. Mbrojtja e të gjithë njerëzve nga dhuna. dhe diskriminimi është parimi ynë," tha ai.
Në 17 qershor, Komisioni Evropian u rekomandoi vendeve anëtare të BE-së që t’i japin statusin e vendit kandidat për pranim në union Ukrainës.
Liderët e BE-së do të duhet të miratojnë këtë rekomandim të premten gjatë samitit të vendeve anëtare lidhur me perspektivën evropiane të shteteve që aspirojnë unionin.