Abuzoi me një minorene në 1975, komediani Bill Cosby shpallet fajtor. Gjykata: Do paguajë 500 mln $ dëmshpërblim
Komediani, Bill Cosby, është shpallur fajtor nga një Gjykatë civile në Kaliforni për ngacmim seksual ndaj një të miture, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1975 në shtëpinë “Playboy”.
Sipas dokumenteve ligjore, aktori besohet se e kishte detyruar Judy Huth, e cila atëkohë ishte vetëm 16-vjeçare, që të kryente marrëdhënie seksuale me të. Kjo e fundit e ka përshkruar këtë incident si një prej përvojave më të rënda të jetës së saj.
Sipas mediave, ish-ylli i serialit “Cosby Show” do të duhet t’i paguajë dëmshpërblim prej 500 mijë dollarësh, Judy Huthit, e cila tani është 64-vjeçare.
Ndërkohë, avokatët e aktorit, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën e fundit gjyqësore, argumentuan se akuzat e Huthit ndaj klientit të tyre janë një trillim dhe se fotografitë e paraqitura në gjyq si prova, janë të gjitha një përpjekje e saj për të fituar para.
Që nga viti 2005, më shumë se 50 gra janë paraqitur për të akuzuar Cosby për sulm seksual.
Pasi u dënua për sulm ndaj Andrea Constand në Filadelfia, Cosby qendroi pak më pak se tre vjet në një burg të shtetit të Pensilvanisë përpara se dënimi i tij të anulohej në apel.
Ai doli nga burgu në shtator 2021. Kjo është çështja e parë civile ndaj Cosby që kalon në gjyq, ndërsa avokatët mbrojtës kanë deklaruar se do ta çojnë çështjen në apel.
