Kushi dëgjesë me Komitetin Olimpik: Vendimi për mbylljen e sallave të basteve ka qenë i duhuri

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi priti në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit përfaqësues të Komitetit Olimpik dhe federatave të ndryshme sportive.

Ajo shkruan se në këtë takim u nda bindja se vendimi i mbylljes së sallave të bixhozit dhe basteve sportive në dhjetor të vitit 2018, ka qenë i duhuri dhe nuk mund të kthehet pas.

Kushi: Në vijim të dëgjesave që po organizojmë me komunitetin e sportit, prita sot në MAS Presidentin e KOKSH z. Fidel Ylli së bashku me përfaqësues të federatave të ndryshme sportive në vend. Diskutuam mbi rëndësinë e ligjit të sponsorizimeve dhe mekanizmave të tjerë se si mund të mbështesim federatat dhe të zhvillojmë sportin në tërësi.

Ndamë bindjen se vendimi i mbylljes së sallave të bixhozit dhe basteve sportive në dhjetor të vitit 2018, ka qenë i duhuri dhe nuk mund të rikthehemi në situatën alarmante që këto aktivitete sollën në familjet dhe shoqërinë shqiptare. Dëgjova argumentet e tyre mbi formalizimin e tregut digjital sipas modeleve më të mira të vendeve të tjera. Në ditët në vijim do të vazhdojmë me dëgjesa të tjera.