Donald Trump fiton në 2024, sondazhet favorizojnë ish-presidentin

Komisioni Hetimor i ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate në Shtetet e Bashkuara duket se nuk po i bind amerikanët që të bëjnë përgjegjës kryesor ish-presidentin Donald Trump për dhunën e përdorur nga mbështetës të republikanit në 6 janar të vitit të kaluar.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Një sondazh nga Qendra e Kërkimeve Pew hodhi në dritë se amerikanët besojnë edhe më pak se 76-vjeçari nxiti dhunën në Kongresin Amerikan.

6 nga 10 republikanë nuk e bëjnë zotin Trump përgjegjës për asnjë ngjarje që ndodhi në 6 janar, ndërsa 2 në 3 besojnë se demokrati Joe Biden nuk i fitoi në mënyrë të ndershme zgjedhjet e 2020, një pretendim i përsëritur shpesh nga Donald Trump.

Pasqyra e mbështetjes së vërtetë për konservatorin do të shihet në zgjedhjet e Kongresit në 8 nëntor.

Amerikanët do të duhet të votojnë të gjithë ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e Senatit, të dyja të kontrolluara nga demokratët.

Zgjedhjet afatmesme zakonisht favorizojnë partinë që ndodhet në opozitë dhe këtë vit nuk pritet të ketë ndryshime, për shkak se opinioni pozitiv për Joe Biden ka rënë në 39%.

Shumica e analistëve politikë amerikanë e konsiderojnë shumë të mundshme që republikanët të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe në Senat.

Nga ana tjetër Donald Trump po korr sukses në primaret e Partisë Republikane përmes mbështetjes që u jep kandidatëve të tij të preferuar për përfaqësues të Dhomës së Ulët dhe Senatit.