Përmbytjet në Bangladesh dhe Indi/ Dhjetëra të vdekur dhe miliona të bllokuar, vendi në alarm
Të paktën 59 persona janë raportuar të vdekur nga goditjet e rrufesë dhe rrëshqitjet e dheut nga stuhitë e forta musonike që kanë goditur Indinë dhe Bangladeshin.
Miliona njerëz kanë mbetur të bllokuar ndërsa punonjësit e emergjencës janë përpjekur të arrijnë tek të rrezikuarit.
Sinoptikanët kanë paralajmëruar se përmbytjet do të vazhdojnë dhe pritet të përkeqësohen ditët në vazhdim.
Zyrtarët e qeverisë së Bangladeshit i kanë përshkruar përmbytjet e fundit si më të rëndat në vend që nga viti 2004.

Shirat e pandërprerë gjatë javës së fundit kanë përmbytur sipërfaqe të tera të rajonit verilindor të vendit, të përkeqësuar nga rreshjet e dendura edhe në malet në Indinë fqinje.
Shkollat janë shndërruar në streha të improvizuara dhe forca të shumta janë vendosur në gatishmëri për të evakuuar familjet e prekura nga komunitetet fqinje si rezultat i rritjes së ujërave.

Në shtetin Assam në Indinë fqinje, më shumë se 1.8 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet pas pesë ditësh rrebeshe të pandërprera.
Shefi i ministrit të Assam, Himanta Bisëa Sarma, u tha gazetarëve se ai kishte udhëzuar zyrtarët e distriktit që të ofronin "të gjithë ndihmën e nevojshme" për ata që janë prekur nga përmbytjet.
"Shtëpia jonë është e zhytur në ujë. Unë kurrë nuk kam parë përmbytje kaq të mëdha në jetën time," tha Husna Begum, një banore e fshatit Udiana në Assam.
28-vjeçarja jeton në një tendë plastike me fëmijët e saj që nga e enjtja.
"Këtu nuk ka ujë të pijshëm në kamp. Djali im ka temperaturë, por unë nuk mund ta çoj te mjeku," tha ajo.
Ronju Chaudhary, i cili jeton në të njëjtin fshat, përshkroi shkallën e përmbytjeve:
"Ne jemi të rrethuar me ujë nga të gjitha anët. Ujë ka edhe brenda shtëpive tona," tha ai, raporton BBC.