Armët mes Kievit e terroristëve, Pentagoni i shqetësuar për fatin e armatimeve të dërguara në Ukrainë

Armët që vendet perëndimore kanë dërguar në Ukrainë mund të kenë hapur plagë të reja luftërash. Ky është shqetësimi i Pentagonit dhe Interpolit të cilët nuk kanë asnjë informacion se ku shkojnë armët që dërgohen në Ukrainë.

Pentagoni, Interpoli dhe Bashkimi Evropian kanë ngritur alarmin për transparencën lidhur me dërgimin e armëve në Ukrainë.

Dyshimet e tyre janë se armët e dërguara për të luftuar kundër ushtarëve rusë, mund të përfundojnë në tregun e zi për t’u përdorur nga rrjetet terroriste.

Ukraina ka marrë ndihma të mëdha që prej fillimit të luftës nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të NATO-s.

Kontribuuesi më i madh kanë qenë Uashingtoni, i cili ka dërguar sisteme kundërajrore, mijëra raketa antitank, dronë, pushkë, miliona fishekë, forca të blinduara etj.

Të paktën 44 vende kanë premtuar miliarda dollarë mbështetje për Ukrainën.

Aleatët e Ukrainës ka filluar t’i shqetësojë destinacioni i këtyre armëve pasi mbërrijnë në Kiev.

Shqetësimi më i madh i Pentagonit janë raketat famëkeqe Stinger.

Ato janë në gjendje të rrëzojnë aeroplanë nëse bien në duart e grupeve terroriste.

Disa medie ndërkombëtare kanë shkruar se disa prej atyre armëve janë shitur në tregun e zi dhe ndodhen në Shqipëri, Kosovë apo Bosnje Hercegovinë.