Dritë në fund të tunelit. Statusi kandidat nga BE, Zelenski: Presim një javë historike
Presidenti Zelenski pret një javë historike duke nisur nga e hëna, pasi Kievi do të dëgjojë nga Bashkimi Evropian vendimin e 27 vendeve anëtare lidhur me kërkesën e Komisionit për dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, për t’iu bashkuar bllokut.
"Nesër fillon një javë vërtet historike, kur do të dëgjojmë përgjigjen nga Bashkimi Evropian për statusin kandidat për Ukrainën. Tashmë kemi një vendim pozitiv nga Komisioni Evropian dhe në fund të javës do të kemi edhe një përgjigje edhe nga Këshilli," deklaroi Zelenski.
Megjithatë kreu i shtetit ukrainas paralajmëroi se Rusia do t’i përgjigjet me armë zhvillimeve lidhur me integrimin e Kievit.
"Natyrisht, ne presim që Rusia të intensifikojë aktivitetin armiqësor këtë javë. Posaçërisht, në mënyrë demonstrative, këtë javë. Dhe jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër vendeve të tjera evropiane. Ne jemi duke u përgatitur. Ne jemi gati. Ne i paralajmërojmë partnerët tanë," tha ai.
Ai përshkroi edhe situatën tejet të vështirë në Donbas, por megjithatë u zotua se ushtria e tij do të bëjë gjithçka për të ndalur ofensivën e Moskës.
Këshilli Evropian pritet të vendosë për fatin e Ukrainës në 23 dhe 24 qershor, megjithëse vendimi do të duhet të votohet nga të 27 vendet anëtare.
