“Katastrofë, nëse Putin fiton”, Johnson apel Perëndimit pas vizitës në Kiev: Mbështesni Ukrainën
Kryeministri britanik tha të shtunën se Perëndimi duhet të mbështesë përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar nga forcat ruse në rajonin e Donbasit. Pas vizitës që që ai zhvilloi në Kiev, Johnson u shpreh se do ishte një katastrofë nëse Putini do të fitonte luftën.
Kryeministri britanik Boris Johnson kërkoi nga Perëndimi që të mbështesë më shumë përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar nga forcat ruse.
Komentet e tij Johnson i bëri pas kthimit nga Kievi ku zhvilloi një vizitë të pa lajmëruar. Johnson tha se do të ishte një katastrofë nëse Putini fiton.
Sipas tij, do të ishte një katastrofë nëse do të siguronte lidhjen tokësore me qytetet që ka kapur në jug, për të mbajtur rajonin Donbas.
Kjo është çfarë Putin dëshiron, i cili sipas Johnsonit, ai do që të jetë në gjendje të thotë se: "Kemi Melitopolin, Berdyanskin, Mariupolin dhe të gjithë brezin jugor. Kemi Khersonin dhe së shpejti të gjithë Donbasin".
“Kjo është çfarë ai do të dëshironte më së shumti. Një konflikt të ngrirë, një armëpushim, siç ndodhi në 2014-ën. Për të, kjo do të ishte një fitore e jashtëzakonshme dhe do t’i krijonte ankth Britanisë dhe qeverive në mbarë botën”, thekskoi kryeministri britanik.
Dhe kjo shtoi Johnson, do të ishte shkatërrimtare, pasi do të kishim një situatë ku Putini do të konsolidonte avantazhin dhe do të fillonte një tjetër sulm.
Ndërkaq ushtria ukrainase konfirmoi të shtunën se forcat ruse po i përqëndrojnë përpjekjet në qytetet Sievierodonetsk dhe Bakhmut.
Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Shtupun, tha se përpjekjet e forcave ruse për të përmirësuar pozicionin taktik nuk kishin qenë të suksesshme, ndërsa vazhdojnë të godasin infrastrukturën civile.
Nga ana tjetër, Rusia thotë se ka marrë gati gjysmën e Donjetskut dhe pothuajse të gjithë rajonin Luhansk, dy pjesët përbërëse të Donbasit.
