“Koha është tani!” Ambasadori Italian: Evropa të hapë negociatat me Shqipërinë

Koha është tani! Shqipëria duhet të ulët në tryezë me BE. Ky është qëndrimi i Italisë për rrugën integruese të Shqipërisë, pak javë para vendimit të fund qershorit. Nga Shkodra, ambasadori Fabricio Bucci, tha se lufta në Ukrainë ka ndryshuar botën, dhe BE duhet të kuptojë realitetin e ri.

Sa herë duket punë e kryer, aq herë Evropa e gjen një shkak të bllokojë rrugën integruese të Shqipërisë!

Përgjigjen e radhës për uljen në tryezën e konferencës ndërqeveritare e marrim këtë muaj!

Ambasadori Italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, nga Shkodra thotë se ky duhet të jetë viti I Shqipërisë.

“Unë shpresoj se deri në fund të këtij viti të ketë një çelje të negociatave.”

Lufta në Ukrainë sipas diplomatit Italian ka ndryshuar botën, dhe Evropa duhet të kuptojë realitetin e ri e të kthehet nga Ballkani.

“Bota ka ndryshuar nga lufta, sot ka dy botë, një para 24 shkurtit dhe një tjetër pas 24 shkurtit. Është e rëndësishme që Evropa ta kuptojë që kemi një realitet të ri, që ne nuk e donim, por po e jetojmë.

Evropa duhet të hapë sa më shpejt negociatat me Shqipërinë në mënyrë që të japë një mesazh qartësie për Ballkanin”

Ambasadori kujton se çelja e negociatave është vetëm hapi i parë i një rruge të re që nis për vendin deri në anëtarësimin e plotë.

Shteti ligjor, forcimi i demokracisë dhe lufta ndaj korrupsionit mbetet sfida kryesore të Shqipërisë.

“Kur të nisin negociatat, duhet të përshpejtojnë disa reforma, kur hapen negociatat hapet rruga për dialog, për politikën, për Komisionin Evropian dhe Shqipërinë.

Janë reformat në drejtësi, reforma kundër krimit të organizuar dhe një sërë reformash që janë të hapura dhe Italia ka qenë dhe do të jetë në krah të Shqipërisë në çdo rast.”

Italia mbetet një prej vendeve që ka mbështetur pa rezerva integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.