Tragjedi në Bangladesh: 32 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur rëndë nga shpërthimi në depo

Një zjarr dhe një shpërthim i madh kanë vrarë të paktën 32 persona dhe plagosën qindra të tjerë në një depo magazinimi pranë qytetit të Chittagong, Bangladesh.

Qindra njerëz kishin mbërritur për të shuar zjarrin kur një numër kontejnerësh shpërthyen në vendin e quajtur Sitakunda.

Nuk dihet shkaku i zjarrit, por mendohet se në disa prej kontejnerëve janë ruajtur lëndë kimike.

Spitalet e zonës janë të mbingarkuar dhe kanë apeluar për dhurim gjaku.

Shumë prej të plagosurve raportohet se janë në gjendje kritike me djegie që mbulojnë 60% deri në 90% të trupit të tyre.

"Shpërthimi sapo më hodhi rreth 10 metra larg vendit ku po qëndroja. Duart dhe këmbët e mia janë djegur," tha shoferi i kamionit Tofael Ahmed për agjencinë e lajmeve AFP.

Një tjetër vullnetar i tha agjencisë se kishte parë më shumë trupa brenda zonës së prekur nga zjarri.

Mes të vrarëve dhe të plagosurve ka disa zjarrfikës.

Depoja përmbante miliona dollarë veshje që prisnin të eksportoheshin në shitësit perëndimorë, sipas një zyrtari të qeverisë rajonale.

Bangladeshi është një furnizues kryesor i veshjeve në Perëndim.

Disa orë pas shpërthimit, zjarrfikësit po përpiqeshin ende të shuanin zjarrin mëngjesin e së dielës. Rreth 600 njerëz punonin në depo, tha për AFP drejtori i objektit, Mujibur Rahman.

Zjarret janë të zakonshme në Bangladesh. Vitin e kaluar, të paktën 39 njerëz u vranë pasi një traget mori flakë në jug të vendit.Nnë fillim të të njëjtit vit, të paktën 52 njerëz vdiqën në një zjarr në fabrikë në Rupganj pranë kryeqytetit, Dhaka.

Tre punëtorë u vranë gjithashtu në 2020 pasi një rezervuar nafte shpërtheu në një depo tjetër depozitimi kontejnerësh në Patenga, jo shumë larg Chittagong.