SHBA nën "sulmin" e armëve, Biden kërkon ashpërsim të ligjeve
Presidenti Biden bëri thirrje për ashpërsimin e ligjeve të kontrolleve të armëve pas ngjarjeve të njëpasnjëshme të sulmeve masive të cilat kanë lënë dhjetëra viktima në javët e fundit.
Demokrati e vuri theksin te rritja e moshës minimale për posedimin e cila aktualisht është 18 vjeç, ose të ndalojë marrjen e armëve me breshëri.
79-vjeçari tha se Kongresi duhet ta rrisë atë me tre vjet, në pamundësi për të pezulluar Amendamentin numër 2 të Kushtetutës Amerikane e cila i lejon çdo shtetasi të armatoset për vetëmbrojtje, për të cilën demokrati tha se nuk është absolut.
"Amendamenti i dytë nuk është absolut. Mjaft, mjaft, i bëj thirrje Kongresit që të ndalojë armët sulmuese, të zgjerojë kontrollet e të kaluarës. Për hir të Zotit, edhe sa masakra të tjera duhet të ndodhin? Të ndalohet shitja e armëve me breshëri dhe karikatorëve me kapacitet të lartë, ose nëse do të ishte e mundur të rritej mosha minimale për të blerë armë nga 18 në 21 vjeç," deklaroi Biden.
Ligjet e reja kundërshtohen nga Partia Republikane në Kongres të cilët arsyetojnë se një kontroll i tillë cenon të drejtat e amerikanëve duke u futur në biografinë e tyre se kujt duhet dhe kujt nuk duhet t’i jepet mundësia të blejë një armë.
Lidhur me këtë presidenti demokrat tha se nuk do t’i merren armët askujt.
"Kjo nuk ka të bëjë me marrjen e armëve të askujt. Askujt nuk po i hiqen të drejtat, kjo ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijëve," tha ai.
Shtetet e Bashkuara në javët e fundit janë përballur me tri sulme vdekjeprurëse në një shkollë fillore në Teksas, në një qendër tregtare në Nju Jork dhe në një kampus spitalor në Oklahoma.
Biden kërkon nga gjykatat që të shtojnë kontrollet me qëllim konfiskimin e armëve për personat që paraqesin rrezik për veten ose për të tjerët.
Lideri amerikan tha se nëse Kongresi do të dështonte të miratonte ligjet e reja të kontrollit të posedimit të armëve, populli amerikan do ta kthente çështjen e armëve në temën kryesore për zgjedhjet afatmesme të nëntorit
