Hungari: Të huajt do të paguajnë 40% më shumë për naftën se banorët lokalë

Prej të premtes, shoferët e huaj në Hungari do të paguajnë çmim më të lartë për naftë, në krahasim me shtetasit hungarezë.

Dekreti për këtë çështje është shfaqur në Gazetën Zyrtare, të enjten, pak para mesnatës.

Sipas dekretit, makinat me targa të huaja nuk do të mund të furnizohen me çmimin fiks prej 1.32 eurosh për një litër naftë, por do të paguajnë çmimin e tregut.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sipas raportimeve në media, ky çmim është mesatarisht 40 për qind më i lartë sesa ai për banorët.

Qeveria e nacionalistit të krahut të djathtë, Viktor Orban, ka vendosur çmim fiks për naftën në nëntor të vitit të kaluar.

Rregullorja, e cila është e vlefshme deri më 1 korrik, ka pasur synim që të garantojë që shoferët hungarezë të mos përballen me rritjen globale të çmimeve.

Të enjten në mbrëmje janë krijuar radhë të gjata para pompave të naftës afër kufijve të Hungarisë me Austrinë dhe Sllovakinë, sepse shumë të huaj kanë synuar që të furnizohen sipas çmimit fiks.

Trajtimi ndryshe i shtetasve hungarezë, në krahasim me banorët e vendeve tjera të Bashkimit Evropian, ka rritur shqetësimet nëse Hungaria, si vend anëtar i BE-së, nuk po shkel ndalesën e BE-së për diskriminim.