Superiorja mbyll kapitullin 2021-2022, Kukësi “djeg” Vllazninë, Seferi dhe Guindo ndajnë Këpucën e Artë
Mbyllet zyrtarisht sezoni 2021-2022 i Kategorisë Superiore me 5 ndeshjet e javës së 36-të të luajtura të gjitha në të njëjtin orar edhe pse rezultatet tregojnë se ndoshta nuk ka nevojë që kjo procedurë të vazhdojë të ndiqet pasi parashikimet respektohen edhe këtë herë.
Asnjë surprizë në garën për një biletë europiane. Në ndeshjen e luksit mes Tiranës dhe Kukësit, miqtë fituan ndeshjen 3-2 dhe pikët e plota në një ndeshje të çuditshme ndërsa bardheblutë ngritën trofeun e 26 të kampionatit.
Humbje e pasuar nga festa në “Selman Stermasi” të populluar si rrallëherë këtë sezon me popullin kryeqytetas që kishte zgjedhur të festonte bashkë me skuadrën një sezon shumë pozitiv.
Titulli i fituar pak javë më parë në Superioren e këtij sezoni pa rivalë për skuadrën e Orges Shehit që feston një trofe të ndërtuar hap pas hapi. 73 pikë për Tiranën dhe 55 për Kukësin që lë pas në këtë mënyrë Vllazninë dhe tashmë duhet të shpresojë që Laçi të fitojë Kupën e Shqipërisë për të përmbushur objektivin minimal që është një biletë europiane, në të kundër Diego Longo do të largohej pas një sezoni tërësisht të dështuar.
Fiton edhe Vllaznia në Kamëz përballë Kastriotit 3-1. Skuadra e Mirel Josës me një sy e vesh nga Tirana nuk arriti ta mbyllte kampionatin në vendin e katërt edhe pse me pikë të barabarta me Kukësin por me disavantazhin në përballjet direkte. Në këtë mënyrë, shkodranët duhet t’i përqëndrojnë të gjitha fuqitë për ndeshjen e 31 majit që do të jetë edhe sfida më e rëndësishme e sezonit.

Laçi dhe Partizani regjistrojnë gjithashtu një ndeshje pa asnjë lloj tensioni ku kryeqytetasit shfrytëzuan falktin që kurbinasit janë të fokusuar te Kupa. Shënon Guindo në humbjen 4-3 të skuadrës së Duros dhe në këtë mënyrë afrikani barazon me 19 realizime Taulant Seferin duke e ndarë me shqiptarin Këpucën e Artë të sezonit.

Dy ndeshjet e tjera Skënderbeu-Teuta dhe Egnatia-Dinamo regjistruan barazime. Në Korçë nuk u shënua asnjë gol ndërsa në Rrogozhinë me mendjen te sfida play-out me Korabin lëshuan terren ndaj Dinamos së rrëzuar tashmë.

