Kryeministrja e Finlandës vizitë në Itali, në fokus anëtarësimi në NATO dhe Erdogan

Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin, ndodhet sot në Romë në një vizitë zyrtare pune.

Ajo do të takohet me Kryeministrin italian Mario Draghi, takim që vjen vetëm dy ditë pas dritës jeshile të Parlamentit finlandez ndaj kërkesës për hyrjen në NATO.

Takimi, i cili do të zhvillohet në Palazzo Chigi, merr një vëmendje të veçantë internacionale. 

Sipas zërave diplomatike Sanna Marin, kërkon nga kreu i qeverisë italiane një endorsement për pranimin në NATO si dhe një ndërmjetësim të tij me Erdogan.

Italia është një nga vendet e BE më pranë Turqisë e Presidenti Recep Tayyip Erdogan është opozitari më i fortë ndaj hyrjes së Finlandës e Suedisë në Aleancën Antlantike, duke e motivuar me simpatinë që Helsinki e Stokholm ka për terroristët e YPG.

Mario Draghi sapo është kthyer nga një vizitë e suksesshme në Shtëpinë e Bardhë ku është takuar me Presidentin Biden e në politikën europiane konsiderohet një nga liderët europianë më me autoritet.

Finlandia e Suedia kërkojnë të përshpejtojnë kohën e të mbyllin praktikën administrative të kërkesës brenda muajit qershor me pranimin simbolik të tyre gjatë Samitit të Nato-s në Madrid, ku pritet të hartohet dhe koncepti i ri strategjik i Aleancës së Atlantikut Verior.

Në takimin e Romës, Draghi-Marin, pritet të diskutohen dhe sanksionet e BE ndaj Rusisë.

Kryeministrja e Finlandës pas takimit zyrtar me homologun italian do të marr pjesë në një drekë pune ku do të jenë të pranishëm dhe dy ish kryeministrat italiane e lider të dy forcave të koalicionit të qeverisë Draghi; Giuseppe Conte i Lëvizjes 5 Yje e Enrico Letta i Partisë Demokratike.

Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin, është kryeministrja më e re në moshë në botë, 34 vjeç drejton një koalicion qeverisës i përbërë nga 5 forca politike.

Socialdemokrate, lider politik i brezit të ri europian, Sanna Marin. ka kryer më parë funksionin e ministres së Transportit e me një impenjim të veçantë në çështjet sociale e ambientale.