Europol: Shqiptarët lojtarët e rinj të rrjeteve të drogës nga Amerika Latine në Evropë

Shqiptarët përmenden si një ndër grupet kryesore të rrjetet kriminale të përfshira në trafikun e kokainës në Evropë dhe disa kontinente në një publikim të Europol dhe Qendrës për monitorimin e drogës.

Në publikim thuhet se rrjete kriminale shqipfolëse kanë bërë përpjekje të suksesshme për të aplikuar një model biznesi nga vendet prodhuese ose tranzit në Amerikën e Jugut deri në shpërndarjen me pakicë brenda BE-së dhe më gjerë.

Kjo gjë përfshin financimin, aksesin tek furnizuesit në vendet prodhuese ose tranzit, transportin, nxjerrjen, ruajtjen, shpërndarjen dhe grumbullimin e parave.

Shumica e rrjeteve kriminale të raportuara në Europol kanë qenë aktive për më shumë se 10 vjet, me disa aktorë që kanë luajtur një rol kyç për dekada, si rrjetet italiane, ndërsa lojtarët e rinj janë në kërkim të një pjese më të madhe të tregut të kokainës, si rrjetet shqiptare, belge, britanike, holandeze, franceze, irlandeze, marokene, serbe, spanjolle dhe turke.

Rrjetet kriminale jashtë BE-së me origjinë nga Evropa Juglindore, veçanërisht rrjetet e Ballkanit Perëndimor, organizojnë gjithashtu operacione të kontrabandës së kokainës nga Amerika Latine.

Rrjetet e Ballkanit Perëndimor janë vendosur si organizatorët kryesorë të aktiviteteve të trafikut të kokainës në tregun global.

Paralelisht, rrjetet kriminale shqipfolëse duket se i kanë zgjeruar aktivitetet e tyre në më shumë vende të BE-së që nga viti 2017.

Shqiptarët dhe rrjeti i trafikut nga Amerika Latine

Rrjetet kriminale nga rajoni i Ballkanit Perëndimor janë shfaqur në rreth 10 vitet e fundit si lojtarë kryesorë në tregun e kokainës në BE.

Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin veçmas nga tregtarët me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Megjithatë, një rrjet kriminal shqipfolës e braktisi këtë model dhe vendosi kontrollin e importit dhe shpërndarjes.

Duke përdorur mjete të sofistikuara komunikimi të koduara, drejtuesit e organizatës, me qendër në Ekuador, negociojnë drejtpërdrejt me kartelet e drogës së Amerikës së Jugut, dhe organizojnë dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore të Evropës me ndihmën e bashkëpunëtorëve me bazë në Itali, Holandë dhe Shqipëri.

Kokaina u kontrabandohet përtej kufijve evropianë e fshehur në automjete të pajisura me ndarje të fshehura.

Kriminelët pastronin të ardhurat e tyre duke përdorur një sistem alternativ nëntokësor të dërgesave me origjinë kineze, i njohur si sistemi fei ch'ien, i ngjashëm me sistemin e transferimit të haëala.

Një tjetër operacion ndërkombëtar i zbatimit të ligjit që përfshin 8 vende rezultoi në akuza kundër 61 të dyshuarve që i përkisnin një rrjeti ballkanik të trafikut të drogës që besohet të jetë përgjegjës për disa trafikim me shumicë të kokainës në Evropë.

Ky rrjet kriminal kishte degë në disa shtete evropiane dhe ishte i përbërë kryesisht nga kriminelë nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Autoritetet e zbatimit të ligjit vëzhguan lëvizjen e kriminelëve midis Spanjës dhe Amerikës së Jugut si dhe importimin e mbi 1.25 tonë kokainë në BE.

Hetuesit spanjollë çmontuan gjithashtu rrjedhat alternative të të ardhurave të rrjetit, të tilla si prodhimi dhe trafikimi i kanabisit dhe shitja e automjeteve luksoze.