Diversantë dhe kolaboracionistë, PD sërish në sherr, Rithemelimi në sulm kundër Alibeajt

Enkelejd Alibeaj ka thirrur në orën 19:00 një mbledhje të grupit parlamentar për të diskutuar mbi qëndrimin që do të mbahet në procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri. Ky vendim nxori në sulm Rithemelimin, të cilët e akuzuan Alibeajn si peng të Ramës, ndërsa tha se Kuvendi i 30 prillit e ka shkarkuar atë dhe nuk ka asnjë tagër.

Një vendim i Enkelejd Alibeajt për të thirrur mbledhjen e grupit parlamentar solli reagimin e fortë të Komisionit të Rithemelimit. Ish-nënkryetari i grupit parlamentar, Luçiano Boçi, që reagoi i pari duke e akuzuar Alibeajn si të përdorur nga Rama dhe Balla, ndërsa sipas tij ai është shkarkuar me 30 prill dhe nuk e ka tagrin të thërrasë mbledhje.

"Është nul se Alibeaj mund të ketë tagrin e Ramës dhe Ballës për thirrjen e kësaj mbledhje por nuk ka më tagrin e demokratëve. Ata tashmë e kanë shkarkuar në Kuvendin e 30 prillit. Së dyti, mbledhjet e grupit parlamentar i thërret kryesia e grupit parlamentar dhe vendos dhe axhendën e diskutimeve. Unë kam kërkuar mbledhjen e  kryesisë së grupit për të vendosur thirrjen e grupit. Nuk mund të jetë një deputet çfarëdo emër ti thërrasë Rama atij që të thërrasë mbledhjen e grupit parlamentar dhe ky grup nuk mund të mblidhet sa herë dhe kur dëshiron Rama dhe kur është ai në pozitë të vështirë."

Daljet në Partinë Demorkatike ishin të njëpasnjëshme. Pas Luçiano Boçit, ishte Floriana Garo që lëshoi akuza ndaj Alibeajt, ndërsa vendosi kushtin kur PD, do duhet të bëhet pjesë e procesit për Presidentin e ri.

"Angazhohet në këtë proces vetëm në rastin kur pseudomazhoranca vendos të pranojë për President Republike kandidatin e opozitës së vërtetë dhe jo opozitës së emëruar, i cili duhet të jetë një emër konsensual i forcave politike opozitare."

Rithemelimi sot organ të vetëm legjitim në Partinë Demokratike, njeh Këshillin e ri Kombëtar.

E vendimmarrjet do të merren vetëm në organ, prandaj deputeti Edi Paloka doli dhe njoftoi mbledhjen e këtij organi të premten në orën 18:00.

"Këshilli Kombëtar i PD është i vetmi organ i cili mund të përcaktojë qëndrimin e unifikuar të PD-së lidhur me një çështje të rëndësishme politike siç është ajo e zgjedhjes së Presidentit të Republikës pasi në bazë të statutit edhe të vjetrit, edhe këtij të riut, Këshilli Kombëtar i PD është organi më i lartë që drejton veprimtarinë politike të PD në periudhën mes dy Kuvendeve. Po ashtu bazuar në nenin 44, pika 4 e statutit, në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar përveç konstituimit, statuti parashikon të zgjidhet edhe kryetari i Këshillit Kombëtar."

Ndërsa Albana Vokshi doli sërish dhe lexoi kush janë anëtarët e Këshillit të ri Kombëtar. Por këtë herë nuk u lexuan vetëm emrat e të zgjedhurve por dhe të deputetëve dhe kryetarëve të degëve të, cilët janë pjesë për shkak të funksionit.

Zhvillimet politike në Partinë Demokratike duket se morën një kthesë të re.

Ajo çfarë mbetet me interes për këtë të enjte mbetet fakti kush nga ato 35 deputetë që nuk ishin në Kuvendin Kombëtar, do të njohin Enkelejd Alibeajn, ende si kryetar të grupit.