Rriten çmimet e shtëpive në gjithë vendin, Tirana mban rekordin
Çmimet e apartamenteve në të gjithë vendin u shtrenjtuan me 9 për qind, ndërsa në Tiranë vlera u rrit me 12.3 për qind. Banka e Shqipërisë ka raportuar dhe për rritje të shitjeve, sidomos në qendër të kryeqytetit. Nga ana tjetër zhvlerësim kanë njohur pronat në bregdet
Çmimet e apartamenteve dhe lejet e ndërtimit kanë pësuar rritje me rreth 9% gjatë vitit 2021.
Kryeqyteti ka shënuar shtrenjtimin më të lartë të pasurive të paluajtshme me 12.3%.
Por duket se rënia e ekonomisë ka nisur të ndihet, pasi në apartamentet në bregdet është shënuar rënie e çmimeve.
Edhe kërkesa ka qenë e lartë dhe agjentët shprehen se ka pasur edhe më shumë shitje.
Qendra e kryeqytetit ishte më e preferuar duke u dyfishuar, krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit.
Rreth 30% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare.
Edhe kostot e ndërtimit janë rritur me rreth 3% në terma vjetorë, ndërkohë që janë dhënë 40% më shumë leje ndërtimi.
Banka e Shqipërisë konstaton ndër të tjera se depozitat dhe kreditë bankare janë rritur.
"Kemi pasur rritje të fortë të depozitave të sektorit bankar nga publiku në lek dhe valutë. Rritja e kredisë ka qenë e tërësishme, gjithë-përfshirëse, është rritur kredia si për bizneset dhe për individët."
Ndërkohë sa i përket stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë vlerëson se:
“Gjendja e sektorit bankar është e mirë, ekspozimi ndaj rreziqeve mbetet në nivele të kontrolluara megjithatë përballemi me disa rreziqe të reja që lidhen kryesisht me situatën gjeopolitike dhe ndikimin qe ato kanë mbi ekonominë e vendit ndaj bankave u kërkohet të jenë proaktive në vlerësimin e këtyre rreziqeve dhe në administrimin."


