Vala e Covidit në Kinë, përhapja e virusit në Shangai po teston fuqinë shtetërore për 'zero infektime'

Pekini shtrëngoi kufizimet e Covid-19 këtë të dielë, ndërsa po mundohet që të frenojë një shpërthim pandemik. Ndërkohë, Shangai që u izolua totalisht për ditë të tëra, ka lënë disa nga 25 milionë banorët e tij të dilnin jashtë banesave. Situata paraqitet e rënduar në Pekin, ndërsa ka dhjetëra infektime në ditë dhe qeveria ndërmerr masa drakoniane për politikën “zero infektime”.

Kryeqyteti i Kinës, Pekini, shtrëngoi kufizimet kundër Covidit këtë të dielë për të reduktuar në maksimum shpërthimin e një vale të re në qytetin e mbipopulluar.

Ka me dhjetëra infeksione ditore, por qyteti nuk është mbyllur ashtu si ndodhi me Shangain.

Pas masave drakoniane në Shangai, situatë paksa më e lirë këtë fundjavë. Vetëm disa mijëra prej 25 milionë banorëve që e popullojnë atë qytet, u lanë të lirë që të dilnin nga shtëpitë e tyre për të marrë pak dritë dielli dhe ajër të pastër, ndërsa qyteti shënoi për të dytën ditë radhazi zero infektime.

Masat e ndërmarra nga qeveria kineze për të mos lejuar përhapjen e virusit janë drakoniane. Asnjë qytetar nuk del dot nga shtëpia.

Masat ekstreme për mbylljen e komplekseve të banimit, duke përfshirë rrethimin e hyrjeve të ndërtesave, kanë shkaktuar zemërim. 

Disa banorë i janë drejtuar mediave sociale për të shfryrë zhgënjimin e tyre dhe të tjerë u përleshën me punonjësit e shëndetit publik.

Agjencitë ndërkombëtare raportojnë se nuk ka lajme të sigurta nga Kina për shkak të censurës shtetërore, ndaj ka shumë lajme që nuk munden që t’i verifikojnë.

Nga frika e një mbylljeje totale, me miliona qytetarë i ka zënë paniku dhe janë drejtuar kah supermarketeve për të blerë produktet e domosdoshme në kohë karantine.

Autoritetet janë duke ndërmarrë të gjitha masat për të ulur infektimet, por për shkak të zgjedhjeve në vijim për Partinë Komuniste, është vënë re një rritje e masave për të ndjekur politikën “zero infektime”.

Në krahun tjetër, duke qenë se pati protesta dhe revolta qytetare në Shangai për shkak të kufizimeve, zyrtarët po mundohen të ndjekin një politikë tjetër në Pekinin 22 milion banorësh për të ulur infektimet.