Darka me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Biden thumbon kundërshtarët republikanë dhe gazetarët
Presidenti Biden ka rikthyer traditën e darkës gala me Gazetarët dhe VIP-a të tjerë të jetës publike amerikane këtë fundjavë. Për shkak të pandemisë dhe se Trumpi nuk e organizoi një darkë të tillë, pas kaq vjetësh, tabloidet e kanë pritur me kërshëri këtë mbrëmje gala. Si gjithnjë nuk munguan thumbimet e presidentit për kundërshtarët politikë dhe për gazetarët kritikë me të.
Është mbajtur këtë fundjavë mbrëmja gala vjetore e korrespondentëve të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Është një traditë e konsoliduar kjo mbrëmje tashmë, ku presidentët tregojnë zhdërvjelltësinë e tyre dhe bëjnë humor me politikanë të tjerë apo thumbojnë gazetarë që janë kritikë.
Darka nuk është organizuar në 2020-ën dhe 2021-shin për shkak të pandemisë së Covidit, teksa më herët Donald Trumpi e shmangu këtë ngjarje kur ishte në detyrën e Presidentit.
"Vetëm imagjinoni nëse paraardhësi im do të vinte në darkën e këtij viti," i tha Biden një auditori prej 2,600 personash, mes tyre gazetarë, zyrtarë qeveritarë dhe VIP-a mbarëbotëror.
“Do të kishte qenë një grusht shteti i vërtetë”, tha me humor kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Biden i pati nën shënjestër paraardhësin e tij Trump, Partinë Republikane dhe gazetarët.
“Jam shumë i emocionuar që jam këtu sonte me grupin e vetëm të amerikanëve që vlerësohen më pak se unë te publiku amerikan,” ironizoi Presidenti.
Ai kishte edhe një thumb për slloganin republikan "Let's Go Brandon".
"Republikanët duket se mbështesin një djalosh të quajtur Brandon që po kalon një vit vërtet të mirë. Jam i lumtur për të”, tha Biden, duke shkaktuar të qeshura në sallë.
Ndërsa pjesa më e madhe e fjalimit ishte e mbushur me thumbime, Bideni vuri në dukje rolin e pazëvendësueshëm që luan gazetaria në demokracinë amerikane, veçanërisht në dekadën e fundit ku demokracia ka shfaqur probleme.
“Dua të them nga thellësia e zemrës, se ju, shtypi i lirë, keni më shumë rëndësi se kurrë,” tha ai.
“Ju jeni gardianët e së vërtetës”, ishte mesazhi i Presidentit.

