Nancy Pelosi viziton Kievin: E juaja është një luftë për liri, do jemi këtu deri në fund të betejës
Në një vizitë të paparalajmëruar, një nga zyrtaret më të larta amerikane, kryetarja e Kongresit amerikan, Nancy Pelosi ka mbërritur në Ukrainë këtë të dielë. Sëbashku me një grup kongresmenësh ata thanë se janë në Kiev për të falenderuar dhe ndihmuar ukrainasit në luftën për liri.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Nancy Pelosi është takuar me presidentin e Ukrainës Volodimir Zelensky.
Zyrtarja e lartë amerikane Pelosi mbërriti në Kiev së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan. Sëbashku me Pelosin ishin edhe përfaqësuesit Jason Crow, Jim McGovern dhe Adam Schiff.
“Kam takuar kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi në Kiev. SHBA është një lider në mbështetjen e fortë për luftën kundër agresionit rus. Faleminderit për ndihmën tuaj në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë!”, ka komentuar Zelensky.
"Ne po ju vizitojmë për t'ju falënderuar për luftën tuaj për liri. Angazhimi ynë është të jemi aty, pranë jush, bashkë me ju, derisa të përfundojë lufta”, tha Pelosi.
Është i njëjti mesazh që ka dhënë Washingtoni në të gjitha nivelet e politikës.
Më herët kanë qenë Sekretari i Shtetit Blinken dhe ai i Mbrojtjes Austin që vizituan Kievin për të dhënë të njëjtin mesazh, se janë pranë popullit ukrainas në luftën e tyre për liri.
Presidenti amerikan Joe Biden ndërkohë ka propozuar një paketë të madhe prej 33 miliardë dollarësh për armatimin dhe mbështetjen e Ukrainës.
Ai foli për ligje të reja për të lejuar përdorimin e aseteve të sekuestruara nga oligarkët rusë për të kompensuar Ukrainën për shkatërrimin e shkaktuar nga pushtimi rus.
Ndërkohë, edhe aktorja e Hollivudit dhe zyrtarja e OKB-së, Angelina Jolie bëri një vizitë të papritur në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, të shtunën.
Ajo mbërriti në këtë qyetet për të folur me personat e zhvendosur për shkak të luftës dhe që kanë gjetur strehim në Lviv, duke përfshirë fëmijët që po trajtoheshin për lëndimet e marra në sulmet ushtarke.
Lufta ndërkaq vijon me intensitet të lartë në Lindje të Ukrainës.
Rusia kreu sulme me raketa në të gjithë Ukrainën jugore dhe lindore të shtunën. Moska e ka kthyer fokusin e saj drejt jugut dhe lindjes së Ukrainës pasi dështoi të pushtonte kryeqytetin Kiev.
Forcat e saj kanë pushtuar qytetin Kherson në jug, duke u dhënë atyre një bazë vetëm 100 km në veri të Krimesë së aneksuar nga Rusia, teksa kanë pushtuar kryesisht Mariupolin, një qytet strategjik port lindor në Detin Azov.
Зустріч зі спікером Палати представників Конгресу США @SpeakerPelosi в Києві. Сполучені Штати є лідером потужної підтримки України в боротьбі з агресією РФ. Дякуємо, що допомагаєте захищати суверенітет і територіальну цілісність нашої держави! pic.twitter.com/QXSBPFoGQh
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) May 1, 2022
