Rusia: Rrezik real për luftë bërthamore. Lavrov shigeton presidentin Zelensky

Kryediplomati rus Sergej Lavrov ka pranuar se ka një mundësi që konflikti në Ukrainë të përshkallëzohet në përdorimin e armëve bërthamore, megjithëse dha nota shpresëdhënëse për një marrëveshje paqeje mes Kievit e Moskës.

Duke folur për mediet ruse, ai tha se Moska dëshiron të shmangë rreziqet artificiale të një lufte nukleare.

Sergei Lavrov: Pozicioni fillestar i Rusisë është se lufta bërthamore duhet të jetë e papranueshme dhe Moska i bindi me sukses Shtetet e Bashkuara e fuqitë e tjera bërthamore që të bien dakord me këtë në muajin janar. Megjithatë, rreziqet e luftës bërthamore tani janë shumë domethënëse. Nuk dua që ato të fryhen artificialisht. Janë të shumtë ata që do ta dëshironin. Rreziku është serioz, është real. Nuk mund të nënvlerësohet.

Ministri i Jashtëm rus rrëfeu se Rusia nuk mundi dot që të bindte ish-presidentin Donald Trump se askush nuk do të fitonte nga një luftë bërthamore.

Sipas tij, Biden ra dakord me këtë, por bisedimet u ndërprenë kur Rusia sulmoi Ukrainën në muajin shkurt.

Sergei Lavrov: Rusia u përpoq të bindte presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që t'i përkushtohej përsëri deklaratës së vitit 1987 nga liderët amerikanë dhe sovjetikë se nuk mund të ketë fitues në një luftë bërthamore dhe se një luftë e tillë nuk duhet të nisë kurrë. Ndërsa pasardhësi i tij Joe Biden u pajtua shpejt me Moskën. Diskutimet me grupet e punës së SHBA-së përfunduan papritur në shkurt, pasi Rusia u detyrua të mbronte rusët në Ukrainë që ishin bombarduar për tetë vjet pa asnjë reagim nga Perëndimi.

Ndërsa tha se Rusia ka vullnet për negociata paqeje Lavrov shigjetoi presidentin ukrainas Zelenski për të cilin tha se ai shtiret si një aktor i mirë kur vjen puna te marrëveshja e paqes dhe se është kontradiktor në çdo gjë që thotë.