Kuleba i përgjigjet Lavrov: Moska po ndjen humbjen në Ukrainë, bota të dyfishojë mbështetjen
Dmytro Kuleba, ministri i jashtëm i Ukrainës është shprehur se Rusia po humbet "shpresat e fundit" për të frikësuar botën që të mos mbështesin Ukrainën.
Kuleba shkroi në rrjetin e tij social Twitter: Moska e ndjen humbjen në Ukrainë. Prandaj, bota duhet të dyfishojë mbështetjen ndaj Ukrainës në mënyrë që ne të mbizotërojmë dhe të ruajmë sigurinë evropiane dhe globale.
Kjo deklaratë e Kuleba-s erdhi një ditë pasi ministri i Jashtëm i Rusisë , Sergei Lavrov në një intervistë për mediet ruse paralajmëroi Perëndimin që të mos nënvlerësojë rreziqet e ngritura të konfliktit bërthamor mbi Ukrainën, dhe shtoi se ai e shihte NATO-n të përfshirë në luftë me Rusinë duke furnizuar Kievin me armatim.
Lavrov, duke mbrojtur veprimet e Moskës, fajësoi gjithashtu Uashingtonin për mungesën e dialogut.
“Shtetet e Bashkuara praktikisht i kanë ndërprerë të gjitha kontaktet thjesht sepse ne ishim të detyruar të mbronim rusët në Ukrainë”, tha Lavrov, duke u përpjekur të legjitimojë pushtimin e Ukrainës.
