Aksidenti fatal, katër persona bien nga ballkoni i katit të 3-të të pallatit, një i vdekur

Aksident fatal në qytetin Mönchengladbach të Gjermanisë.

Rreth orës 18:50, tre burra të moshës 31 deri në 47 vjeç dhe një grua 40 vjeçe ranë nga kati i fundit i një pallati 3 katësh në rrugën Am Kammerhof në lagjen Odenkirchen.

Me sa duket, kangjellat e ballkonit janë shkëputur papritur dhe katër personat kanë rënë rreth gjashtë metra poshtë.

Të gjithë pësuan lëndime të rënda, por më të riun prej tyre aksidenti rezultoi fatal. 31-vjeçari ndërroi jetë në vendin e aksidentit.

Në shërbim ishin forcat zjarrfikëse, disa autoambulanca dhe mjekë të urgjencës.

Gjithashtu, janë kërkuar dy helikopterë të shpëtimit për të transportuar tre të plagosurit rëndë në klinika.

Vendi i aksidentit është rrethuar.Nuk është ende e qartë se përse kangjellat janë lëshuar papritmas.

Në pallatin e ndërtuar në 1972 janë 30 banesa. Policia ka nisur hetimet.