Rriten çmimet e produkteve të shportës, Muço: Të ketë mbështetje direkte ndaj qytetarëve e jo monitorim

Edhe pse u krijua nga qeveria për të rregulluar situatën me çmimet pas abuzimeve që po ndodhnin në treg, Bordi i Transparencës ditën e djeshme (6 prill) vendosi që të rrisë çmimin e vajit.

Në një intervistë për Ora News, eksperti i ekonomisë Klodian Muço shprehet se qëllimi i bordeve në vetvete nuk është reduktimi i çmimeve.

Ai tha se qeveria në vend që të monitorojë çmimet duhet t’u japë mbështetje të drejtëpërdrejt qytetarëve  ashtu siç  bëjnë dhe vendet e rajonit.

Klodian Muço: Bordet në vetvete nuk kanë për qëllim që të reduktojnë çmimet por të ruajnë rritjen e çmimeve që mund të vijnë si pasojë e spekulimit. Teorikisht nuk është se kanë një funksion real që do të çojë në reduktimin apo lehtësimin e xhepave të qytetarëve. Bordi për monitorimin  e çmimit të naftës ka përcaktuar thjesht se marzhet e fitimit të kompanive të shumicës së naftës apo atyre që tregtojnë me pakicë të jenë të përcaktuara apo të monitorohen nga ky bord me qëllim që mos të ketë marzhe të larta fitimi. Do ishte shumë më efikase që qytetarët të kishin mbështetje nga qeveria më tepër sesa monitorimi në vetvete.

Ai tha se rritja e çmimeve në vendin tonë nuk ka ardhur si pasojë e spekulimit të sipërmarrësve shqiptarë, por kjo rritje është në nivel ndërkombëtar

Klodian Muço: Shporta e konsumit nuk mund të përbëhet vetëm nga 4 artikuj, kështu që monitorimi mund të zgjerohet. Problemi në vetvete qëndron se kem një rritje të çmimit që nuk ka ardhur si pasojë e spekulimit të sipërmarrësve shqiptarë, por kjo ka ardhur në nivel ndërkombëtar.

Duhet të kishte një mbështetje direkte ndaj konsumatorëve apo bizneset. Kjo është thjesht për të ngushëlluar qytetarët për t’u thënë se ne po monitorojmë.

Sipas tij struktura e ekonomisë shqiptare varet nga importet. 

Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Anila Kolgjini.