“Plakat” sjellin shi e borë/ Stuhi në mes të pranverës, baseni i Fierzës shkon në 271 metra

Reshjet e dëborës u rikthyen në Dibër e Kukës, ndërsa pjesa tjetër e vendit është përfshirë nga shi e erë. Stuhia në mes të pranverës krijoi problematika, por nga ana tjetër po mbush liqenin e Fierzës.

Reshjet e shiut e përmirësuan situatën në kaskadën e Drinit ku ndodhen tre hidrocentralet kryesore të prodhimit të energjisë elektrike.

Këtë të dielë niveli i liqenit të Fierzës arriti 271 metra nga 259 metra që ishte ditët e fundit të muajit mars.

12 metra rritje që kur kanë nisur reshjet.

Por ende ndodhet 26 metra larg nivelit maksimal të liqenit që është 296 metra.

Moti i keq përfshiu të gjithë vendin këtë të dielë.

Në Dibër e Kukës, sikurse zona të tjera malore u rikthyen edhe reshjet e dëborës.

Në qytete nuk ka probleme, por në zonat malore dëbora arrin disa centimetra duke krijuar vështirësitë e para në qarkullimin e mjeteve.

Problematika edhe nga shirat.

Në aksin nacional Berat-Skrapar ka rrëshqitje të vazhdueshme gurësh, duke krijuar rrezik për aksidente.

Në Kukës ndërkohë banorët e 3 fshatrave  Shishtavec, Turaj, Novosej gjenden të bllokuar për shkak të shembjes së urës së Shtrezës.

Stuhitë e shiut rikthyen përmbytjet në rrugët e disa qyteteve ku lëvizja për këmbësorët ishte e vështirë.

Në disa zona u regjistruan edhe stuhi breshëri.