Serbia nuk heq dorë nga Ballkani i Hapur

Refuzimi i kancelarit gjerman për të përmendur termin Ballkani i Hapur nuk e ka penguar Serbinë për të lobuar për nismën ekonomike të Beogradit ku bën pjesë edhe Shqipëria. Ambasadori serb në SHBA u takua me këshillin e biznesit gjermano-amerikan edhe pse të dy shtetet nuk kanë dhënë miratimin e plotë për këtë nismë.

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriç, ka nisur të formalizojë nismën serbe të Ballkanit të Hapur, në të cilën bën pjesë edhe vendi ynë si dhe Maqedonia e Veriut.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, Ambasadori serb tha se kishte folur me anëtarë të Këshillit të Biznesit gjerman e atë amerikan lidhur me iniciativën serbe.

Gjuriç: Pata një diskutim të gjatë me anëtarët e Këshillit të Biznesit të Gjermanisë dhe SHBA-ve mbi marrëdhëniet aktuale Serbi-Gjermani e Serbi-SHBA në ekonomi e tregti, rëndësinë rajonale të nismës Ballkani i Hapur dhe mundësitë për të zgjedhur bashkëpunimin transatlantik.

Përgjigja e kancelarit, Olaf Scholz, për Ballkanin e Hapur duket se nuk i ka ndaluar serbët për të lobuar për nismën rajonale vetëm mes tre shteteve.

Në një konferencë për medie me kryeministrin Rama, kancelari Scholz të martën nuk e përmendi në asnjë moment termin Ballkani i Hapur dhe tha se njihte vetëm Procesin e Berlinit.

E po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara në fund të vitit të kaluar nuk dhanë miratimin e plotë për nismën mes 3 vendeve të rajonit.

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se nisma nuk mund të quhej e plotë nëse nuk merrnin pjesë të 6 vendet e rajonit.