Drogë e armë nga Shqipëria, shkatërrohet banda shqiptare në bashkëpunim me Sacra Corona Unita-s

Autoritetet policore italiane në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Antimafias, kanë ekzekutuar operacionin e koduar “Game Over” i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh drogë që furnizohej në sasi të mëdha lëndë narkotike, marijuanë, hashash e kokainë nga Shqipëria, por dhe armë që siguroheshin dhe nga vende të tjera ballkanike.

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Leçes kanë çuar në urdhër ndalimin ndaj 17 personave të akuzuar për krimin e pjesëmarrjes në një organizim kriminal të tipit mafioz, organizim me qëllim trafik lëndësh narkotike, dhunë e kërcënim me forcën e armëve.

Hetimet kanë nisur më vitin 2019 ndaj klanit kriminal i njohur si Klan Brigante me veprim në territorin e Leçe-s e i drejtuar nga Pasquale Brigante, i dënuar disa herë për krime të rënda.

Hetimet dy vjeçare bazuar në metoda teknologjike bashkëkohore e në ato tradicionale, zbardhën se dhe pse kapo i bandës ishte në burg, përmes anëtarëve të besuar të tij, vazhdonte të menaxhonte trafiqet e paligjshme, e të ishte operativ në Leçe, madje duke shtuar radhët me anëtarë të rinj përmes ritualeve klasike të përkatësisë, tipike të organizatave kriminale të tipit mafioz, e duke ngritur gradën e anëtarëve që tashmë i përkasin Sacra Corona Unita.

Lënda narkotike blihej në Shqipëri e hetimet kanë mundësuar hipotezën e disponueshmërisë së vazhdueshme të sasive të mëdha të drogës si dhe të armëve, përshirë dhe ato lufte me origjinë ballkanike. Armët siguroheshin përmes ndërmjetësisë së një shtetasi italian me origjinë malazeze.

Ky grup kriminal mafioz, përdorte dhe metoda dhune e kërcënimi me forcën e armëve për të zhvatur shitësit ambulantë gjatë organizimit të festave në qytet, aktiviteteve sportive e koncerte artistike.

Ndër 17 urdhër ndalimi, 14 janë vënë nën pranga e 3 të tjerë në arrest shtëpiak.

Gjatë operacionit janë sekuestruar armë të tipit kallashnikov AK 47, M.70 Zavasta, mjaft pistoleta të kalibrit 45 e 38 special si dhe mjaft municione.