Mbretëria e Bashkuar: Trupat ruse janë larguar plotësisht nga veriu i Ukrainës
Dy zyrtarë të lartë evropianë dhe kryeministri sllovak kanë udhëtuar këtë të premte drejt Kievit. Von der Leyen dhe krye-diplomati Borrell kanë njoftuar takim me presidentin ukrainas Zelensky. Sa i përket zhvillimeve në terren, rusët janë tërhequr nga veriu për t’u fokusuar në Lindje të Ukrainës.
Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen së bashku me krye-diplomatin evropian Josep Borrel kanë mbërritur në Kiev këtë të premte. Kjo është vizita më e lartë e një politikani evropian në Kiev që se rusët nisën fushatën e tyre pushtuese më 24 shkurt.
Vetë shefja e Komisionit njoftoi se do të ketë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe po shkon në Kiev me tren nga Polonia juglindore ndërsa shoqërohet edhe nga kryeministri sllovak Eduard Heger.
Sa i përket zhvillimeve në terren, britanikët dhe amerikanët thonë se rusët janë duke u tërhequr nga veriu për të filluar një fushatë intensive për të marrë lindjen e Ukrainës. Tashmë pritet që lufta të zhvendoset në rajonet lindore, kryesisht në Donbas.
Ndërkohë, trupat ruse të tërhequra nga veriu janë kthyer në bazën e tyre në Bjellorusi, vend ku Rusia ka një ndër bazat më të mëdha ushtarake.
Amerikanët janë të vendosur që t’i ndihmojnë ukrainasit që të luftojnë kundër pushtimit. Së fundmi ata kanë njoftuar dërgimin e 1000 raketave Stinger dhe 5000 Javelin në ndihmë të ushtrisë ukrainase.
