Bashkia lë rrugët “rrugëve”, "Martin Camaj" si liqen artificial në kohë me shi

Punimet e lëna përgjysmë në rrugët e kryeqytetit janë kthyer në shqetësim për qytetarët. Një prej tyre është rruga "Martin Camaj", e cila në kohë me shi bëhet e pakalueshme për banorët e zonës. Ata kanë bërë disa herë kërkesë në Bashkinë e Tiranës, por deri më tani nuk ka asnjë masë për rregullimin e saj.

Prej dy vitesh kjo rrugë është lënë në këtë gjendje e kur bien shira, është e pamundur të kalosh në të.

Rruga "Martin Camaj", e cila lidh shkollën “Niket Dardani” me bulevardin "Zhan Dark" është lënë tërësisht në harresë.

Problemin e shkaktojnë gropat e mëdha në rrugë, të cilat hapen për shkak të punimeve që më pas mbeten përgjysmë.

"Bëjnë punime, hap gropa dhe kanale, i lënë ashtu. Vënë ato elektriket, i lënë përsëri pa bërë. Ka mbetur në këtë gjendje, ka 2 vjet."

Faktor tjetër sipas banorëve të zonës është edhe kalimi i shpeshtë i mjeteve të tonazhit të rëndë.

"Problemin e shkakton kompania që po ndërton pallatin pas këtij, kalojnë makineritë e rënda, betonieret dhe të tjera."

Banorët shprehen se është e papranueshme që një rrugë në mes të kryeqytetit të ketë këtë pamje.

"Ka më keq se sot në Tiranë të jetosh në këtë rrugë, nuk e marr vesh. Mbushet plot këtu."

Pavarësisht kërkesave drejtuar Bashkisë së Tiranës, deri më tani sipas banorëve në këtë rrugë nuk ka ardhur askush për inspektim.