U zhduk në mënyrë misterioze, gjendet kryesekretarja e Gjykatës së Lezhës
Gjendet krye-sekretarja e Gjykatës së Lezhës, Klaudia Marku, e cila ishte zhdukur në mënyrë misterioze.
34-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, është shoqëruar në komisariat dhe po merret në pyetje.
"Në vijim të informacionit për kallëzimin e bërë nga shtetasi O. M., 38 vjeç, banues në Lezhë, për largimin e bashkëshortes së tij nga banesa, sqarojmë se:Shtetasja K. M., 34 vjeçe, rreth orës 15:30, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe aktualisht po jep sqarime mbi rrethanat dhe motivet e largimit nga banesa" njoftoi policia.
Ka qenë bashkëjetuesi i nënës së dy fëmijëve, i cili ka denoncuar në polici mbrëmjen e së mërkurës largimin e saj nga banesa.
38-vjeçari, që mësohet se është pjesë e policisë kufitare, mësohet të ketë deklaruar se ajo kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më.
Ai ka deklaruar se ka tentuar të komunikojë me të por, pa rezultat.
Telefoni i 34-vjeçares Marku rezultoi i hapur, thanë burimet por askush nuk përgjigjej.
Pas kallëzimit, policia e Lezhës u vu në lëvizje derisa ra në gjurmët e saj këtë pasdite, 7 prill.
