Çfarë është "Muri i Vjedhjes"?

Aktivistja Edlira Çepani ka shpjeguar banderolën e quajtur "Muri i vjedhjes" e cila ishte vendosur para kryeministrisë. Për Ora Neës, Çepani tha se shqiptarët mbajnë barrën e një qeverie që shpërdoron paratë në mënyra të ndryshme.

Çepani: Kjo është një simbolikë e protestës së sotme, është ai që ne e kemi quajtur "Muri i vjedhjes" me pjesën ku qytetarët paguajnë fatura dhe kupona të çmimeve të ngritura. Këto nuk janë psikologjike ashtu siç na kanë thënë disa ministra që kanë dalë nëpër supermarkete, por janë reale të cilat janë ngritur. Janë listat me të cilat qytetarët shqiptarë marrin ushqimet sepse nuk kanë lekë të paguajnë, është varfëria shqiptare e cila mban barrën e një qeverie që shpërdoron paratë në mënyrë të ndryshme. Këtu kemi vënë disa prej koncesioneve abuzive të cilat janë dhënë në kohët e fundit. Nga ana tjetër shpenzimet e luksit, vetëm për transport ministrash paguajmë 29.2 mln euro. Kemi një km rrugë që kushton 20 mln euro, kështu që ajo është mënyra se si qytetarët paguajnë, se si taksat vilen dhe më pas shpërdorohen. Prandaj ne e kemi quajtur "Muri i vjedhjes" se nuk është një çështje e abuzimit momental. Kjo është një çështje e cila vijon prej kohësh, ku nuk ka më prioritet qytetarët por prioriteti është që qytetarët të vidhen sa më shumë të jetë e mundur dhe të ushqehen 4-5 veta që kanë në dorë gjithçka në Shqipëri.

Për sa i përket vendosjes së çmimit të naftës nga Bordi, Çepani tha se nuk po vendoset me transparencën e duhur dhe nga ana tjetër, sipas saj, Bordi është në fakt një abuzim i mëtejshëm me situatën.

Sipas aktivistes, nuk mundet që qeveria të ndërhyjë në treg në këtë mënyrë kaq abuzive.

Në mënyrë që të kalohet kriza biznesit duhet t'i jepet frymëmarrje dhje nëse nuk merren masa serioze qytetarët do vazhdojnë të dalin në protesta.