Fëmijët me autizëm, apel për trajtim më të veçantë
Fëmijët me autizëm ende vijojnë të jenë të mënjanuar por sipas ekspertëve duhet trajtim i vazhdueshëm ndaj tyre. Ekspertët gjithashtu kërkojnë që në shkolla duhet të ketë mësues ndihmës për këta fëmijë për ti bërë ato sa më social.
Fëmijët me autizëm shpesh kanë vështirësi në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve sociale. E për t'i bërë sa më sociale Eglantina Bajrami kryetare e organizatës klubi kombëtar i prindërve të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik thotë se vëmendja maksimale ndaj kësaj kategorie duhet të jetë në shkolla.
"Do ishte mirë që mësuesi i ndihmës të ishte aty në klasë gjithë kohës dhe ajo që ne kemi kuptuar është se vetë mësuesi ndihmës nuk e ka kuptuar rolin që ka në shkollë. As drejtuesit e shkollave dhe as mësuesit e përgjithshëm nuk e kanë kuptuar se çfarë roli ka mësuesi ndihmës në klasë. Mësuesi i përgjithshëm duhet të ketë një kulturë të vetë-njohjes të problematikave që ka nxënësi me aftësi të kufizuar të cilët ata i kanë në klasë. Psikologjia duhet të jetë një lënë de mirëfilltë", tha Bajrami.
Të jesh nënë i një fëmije me aftësi të veçanta kërkon sakrificë. Ata janë në shënjestër të bullizimit e një rast të ngjashëm e ka përjetuar dhe vete Bajrami me te birin.
"Kur djali im ishte në klasë të gjashtë, prindërit u mblodhën dhe kërkonin që djali im të largohej nga shkolla", tha Bajrami.
Për Sociologen Entela Binjaku ka raste të mënjanimit të fëmijëve autik. Institucionet duhet ti trajtojnë me kujdes në mënyrë që të jepen dhe rezultatet.
"Kemi mjaft raste kur fëmijët vuajnë mënjanimin prej të tjerëve, vuajnë indiferencën nga ana e institucioneve që kanë për detyrë të kujdesen. Trajtimi ka nevojë të jetë i vazhdueshëm, të jetë i përhershëm, në nivelet që kërkohet që mënyrë që të ketë rezultat puna e të gjithëve", tha Binjaku.
Sakaq ministria e Arsimit ka ngritur një grup pune, i cili po punon intensivisht për ndryshimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar për kthimin e shkollave të arsimit special në qendra burimore.
Parashikohet shërbim më profesional dhe i plotë për nxënësit me aftësi ndryshe, duke u përshtatur edhe me eksperiencat më të mira të vendeve evropiane për fëmijët që janë diagnostikuar me aftësi ndryshe.
