Kërkesa për arrestimin e Bllakos, Gështenja: Nuk është koka e aferës së incineratorëve. I përfshirë zinxhiri i administratës
Prokuroria e Posaçme SPAK, kërkon arrestimin e deputetit të PS-së, Alqi Bllako, i cili akuzohet në mënyrë direkte se ka përfituar në mënyrë të paligjshme 14 milionë lekë të reja nga incineratori i Fierit.
Deputeti Lefter Gështenja në një intervistë për Ora Neës, shprehet se koka e aferës së incineratorëve nuk është Lefter Koka dhe as Alqi Bllako, ndërsa shton se është i përfshirë i gjithë zinxhiri i administratës.
Ndër të tjera ai thotë se mos publikimi i procedurës së incineratorëve. , është shkelje e ligjit.
Lefter Gështenja: Për mua koka e korrupsionit, nuk është Lefter Koka dhe as Alqi Bllako. Në të tre procedurat nga ajo që kemi konstatuar është i përfshirë gjithë zinxhiri i administratës. Nga personi i parë që ka nisur hartimin e dokumenteve e deri tek personi i fundit që është kryeministri. Kështu është I përfshirë dhe pushteti vendor i të treja bashkive. Mos publikimi i procedurës është shkelje e ligjit. Këta nuk kanë frikë nga ligji. Kanë përdorur zyrën e shtetit si me e pas pronë private. Pandëshkueshmëria duhet të marrë njëherë e mirë fund në Shqipëri. Pushtetarët sot nuk kanë frikë nga ligji.
Sipas tij, SPAK ka marrë për prova faktet që ka paraqitur Komisioni Hetimor për incineratorët.,
Lefter Gështenja: Debatet që e kemi pasur në Komisionet hetimore janë fakte që SPAK i ka marrë si prova që ka këto të arrestuar.
Kontrata e Elbasanit, është një nga kontratat më flagrante. Nuk ka ndodhur as në ’97 një kontratë e tillë. I njëjti grup njerëzish, kanë ideuar ndërtimin e incineratorit të Fierit, të Tiranës. Ndërkohë që ne flasim asnjëri prej tyre nuk funksionon.
Ai ka folur dhe për situatën brenda PD, duke u shprehur se nëse ekziston dëshira dhe vullneti bashkimi i kësaj partie është i mundur.
Lefter Gështenja: Situata politike që prej 9 shtatorit nuk është një situatë e qetë. PD demokratike sot që ne flasim, është e përçarë në strukturë, në bazë dhe në të gjitha nivelet e saj. Nëse ekziston dëshira dhe vullneti, them se bashkimi në PD është i mundur. Deri më sot të gjithë jemi për bashkim.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.
