Takimi me refugjatët ukrainas në Poloni, Biden nuk kursen kritikat për Putin: Ai është kasap
Presidenti amerikan, Joe Biden e ka konsideruar presidentin rus Vladimir Putin një "kasap" gjatë vizitës me refugjatët në Varshavë, Poloni.
Këtë e tha kur u pyet nga gazetarët se çfarë mendoi kur pa refugjatët ukrainas në Stadion Narodowy, të cilët lanë shtëpitë e tyre, për shkak të pushtimit rus.
"Ai është një kasap".- tha Biden.
Javën e kaluar, Biden për herë të parë e quajti Putinin një "kriminel lufte" dhe më pas e quajti atë si një "diktator vrasës, një bandit i pastër që po bën një luftë imorale kundër popullit të Ukrainës".
Ndërkohë departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi zyrtarisht të mërkurën se anëtarët e forcave të armatosura ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë.
Komentet e fundit të Biden për Putinin erdhën ndërsa ai u fokusua në krizën e refugjatëve në Evropë, ndërsa miliona largohen nga shtëpitë e tyre në Ukrainë.
Më shumë se 3.5 milionë refugjatë kanë ikur tani nga Ukraina, sipas të dhënave nga agjencia e refugjatëve e Kombeve të Bashkuara të publikuara të martën.
