Vuçiç ‘humb’ ndaj Kurtit

Presidenti Vuçiç është dorëzuar ndaj Albin Kurtit sa i përket zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit. Kreu i shtetit serb tha se do që të ruajë paqen dhe stabilitetin, duke pranuar nën zë se serbët e Kosovës do të votojnë jashtë territorit, njësoj si në referendumin e Beogradit të 16 janarit.

Edhe pse ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare e presidenciale të 3 prillit të mbahen në Kosovë për serbët atje, presidenti Vuçiç duket se e ka pranuar humbjen në këtë rast kundër qeverisë Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka thënë më herët se zgjedhjet e Serbisë në 3 prill do të mbahen për qendrat e votimit vetëm nëse Beogradi i dërgon kërkesë zyrtare Prishtinës.

Kreu i shtetit serb të mërkurën ka thënë se para së gjithash dëshiron që të ruajë paqen në Ballkan, duke përjashtuar çdo skenar përshkallëzimi siç premtoi në fillim të kësaj jave.

Vuçiç: Ne kërkojmë që zgjedhjet e përgjithshme të 3 prillit të mbahen në Kosovë, por megjithatë ne duam të ruajmë stabilitetin dhe paqen në rajon. Dje shtetet e Quintit më thanë se kanë bërë maksimumin, por nuk kanë arritur ta bindin Albin Kurtin. Ne kemi pranuar shumë kompromise, të cilat i kemi gëlltitur por qeveria serbe nuk do t’i dërgojë këtë herë një kërkesë qeverisë së Kosovës, sepse atëherë i bie që ne t’i njihnim ata si shtet.

Vuçiç thotë se pas ndalimit të votimit për serbët e Kosovës fshihet tentativa e Albin Kurtit për destabilitetin e rajonit dhe poshtërimi i serbëve.

Vuçiç: Nuk bëhet fjalë vetëm për ndalimin e votimit të serbëve më 3 prill, Kurti ka qëllime të dyfishta. Së pari për të poshtëruar serbët dhe për të ulur numrin e votave për partinë time dhe për të shkaktuar destabilitet në rajonin tonë".

Njësoj siç ndodhi në 16 janar, kur u mbajt referendumi serb për ndryshimet kushtetuese edhe në 3 prill serbët e Kosovës do të detyrohen të udhëtojnë drejt Serbisë për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme