Giresse: Nuk ka revolucion, të rrisim cilësinë e grupit të lojtarëve që ka Kosova

Kosova e Alain Giresse është gati. Dardanët janë të impenjuar në dy miqësore këto ditë, me 24 mars luan në Prishtinë në “Fadil Vokrri” ndaj Burkina Faso dhe me 29-të, në Zurich përballet me Zvicrën. Këto sfida do të jenë të parat në erën e re të ekipit nën drejtimin e trajnerit francez i cili në konferencën për shtyp paralajmëroi se nuk do të përmbysë gjithçka që është bërë deri tani, përkundrazi.

“Para së gjithash me rëndësi është që të njihemi më lojtarët, që të njihemi së bashku, pastaj të njihemi me mënyrën e organizimit, punës dhe si do të funksionojmë në këto dy miqësore. Padyshim, do të tentojmë të kemi pothuajse të gjithë lojtarët e ftuar. Është shumë normale për një trajner të ri që t’i njoh kapacitet e lojtarëve, por jo për të ndërruar komplet strukturën. Duhet të vazhdojmë me dinamikën e ekipit aty ku ka mbetur. Secili lojtar duhet ta tregojë veten në lidhje me objektivat që i kemi para vetes”.

Giresse tha se ka disa probleme me disa lojtarë për arsye dëmtimi ndërsa konfirmoi se këto dy ndeshje do ta ndihmojnë atë dhe skuadrën që të përgatitet sa më mirë për Ligën e Kombeve.

“Sahiti është lënduar dhe mungon në këto ndeshje, do të tentojmë ta zëvendësojmë. Po ashtu, edhe sot do të mbajmë stërvitjen e parë gjatë pasdites ndonëse ishte e paplanifikuar. Jam i informuar që ka ndodhur një problem me Sahitin, do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Do të duhet të njihem më shumë me lojtarët dhe ka gjasa që të ftohet edhe ai edhe pse i dëmtuar. Janë dy ndeshje miqësore që na shërbejnë të përgatitemi sa më mirë për Ligën e Kombeve, në të cilën do të futemi me ambicie maksimale”, u shpreh trajneri francez në fjalën e tij./Ora News/.