Zgjedhje serbe në Kosovë? Bisilimi: Beogradi më parë të dërgojë shkresë zyrtare
Kosova duket se ka ndryshuar mendje sa i përket zgjedhjeve presidenciale të Serbisë për serbë në vend. Negociatori për dialogun Prishtinë-Beograd ka thënë se ato mund të mbahen nëse Serbia dërgon shkresë zyrtare, kujtojmë që më herë Vetëvendosja e bëri fakt të kryer se nuk do të zhvilloheshin.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi është intervistuar nga mediat serbe, ku është pyetur për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme serbe të 3 prillit në vend.
Bislimi ka deklaruar se Serbia duhet të dërgojë një kërkesë pranë institucioneve të Kosovës në mënyrë që ato të zhvillohen.
Bislimi:"Nëse ka marrëveshje, zgjedhjet do të mbahen, sa na përket neve nuk është se duam të privojmë asnjë qytetar nga e drejta e votës, por kërkojmë që procesi t’i përmbahet Kushtetutës së Kosovës dhe marrëveshjeve që u lejojnë qytetarëve serbë të votojnë jashtë Serbisë. Por Serbia duhet të dërgojë një kërkesë pranë zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë që më pas të garantojmë mbarëvajtjen e tyre".
Më herët kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari Lila tha se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk do të mbaheshin në vend përmes qendrave të votimit, por vetëm përmes postës ose zyrës ndërlidhëse Beograd-Prishtinë, të cilat sollën reagime të shumta nga pala serbe të cilët madje kërcënuan me pasoja të rënda.
Diplomati shtoi se deklarata e Serbisë për mos njohjen e Kosovës është vetëm një taktikë për të fituar vota.
"Kur Serbia thotë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Evropian e konsiderojnë këtë si një deklaratë për përdorim të brendshëm politik. Kjo do të thotë se ata mendojnë se mund të fitojnë më shumë vota përmes kësaj deklarate dhe thonë të tjera gjëra në takimet zyrtarët evropianë. Për ne marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme, por Kosova mund të jetojë edhe pa u njohur nga Serbia".
Zgjedhjet serbe të përgjithshme pritet të mbahen në 3 prill.
Krahas zgjedhjeve parlamentare do të mbahen edhe ato presidenciale, ku kreu aktual i shtetit, Aleksandar Vuçiç do të kandidojë për një mandat të dytë.